Gjatë protestës në komunën Zveçan, kanë ndodhur disa sulme të rënda ndaj gazetarëve makinave të mediave të ndryshme shqiptare në veri të Kosovës.
Makina e Syri Vizion nga Gjakova është goditur nga një plumb. Në pamjet e siguruara shihet se makina është qëlluar në pjesën e pasme të saj, por plumbi ka depërtuar deri brenda saj.
Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.