Deputeti i PD, Edmond Spaho, tha se kryeministri Edi Rama nuk flet asnjë fjalë për aferën me McGonigal, pasi sipas tij, nëse do të flasë, do i përdoret në gjykatë kundër tij.
Gjatë fjalës së tij përpara Kuvendit, Spaho deklaroi se një darkë mes Ramës dhe McGonigal kushtoi 10 mijë euro. Më tej ai kërkoi hetimin e skandalit “McGonigal”, pasi sipas tij ish-zyrtari i FBI-së u përdor për të goditur opozitën në Shqipëri dhe për të minuar pluralizmin.
“Ky regjim dita ditës po kthehet në një diktaturë si ajo e prindërve të tyre. Gjithkush mund të pyesi se përse këta të opozitës po qëndojnë brenda dhe jashtë, protesta të përjavshme, përse sillen në këtë formë, çfarë arsyeje kanë. Ne nuk duam të ketë opozitë formale dhe fictive, që të lëpijë Edi Ramën. Çfarë ka ndodhur. Një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare. Rama ka blerë zyrtarin më të lartë të sigurisë në SHBA. Nuk ka ndodhur kurrë, as Kina, as Rusia, as Koreja, e askush tjetër, nuk kanë arritur ta thyjnë në këtë mënyrë sigurinë e amerikanëve.
Kjo është çështje e SHBA-së, e zgjidhin vetë. Ne na intereson që ai ka paguar për të goditur opozitën në Shqipëri. Ka paguar para për të shpallur “Non Grata” Sali Berishën. Nuk mjafton vetëm kjo, ish-kryetarin e PD-së e kapi peng duke i mbyllur gjyqin në Tiranë, për çështjen e 500 mijë dollarëve. Dhe sot hiqet si viktimë. Sot duhet të japë llogari. Ku i gjeti ato para, nga Rusia apo nga oligarkët. Kanë ushtruar presion mbi bizneset në Shqipëri, duke iu marrë deri në 30 milionë euro. Prandaj rriten çmimet këtu, prandaj ka shkuar nafta në këto nivele. 10 mijë euro për një darkë 2 veta Rama-McGonigal. Po çfarë hëngrën mor i hëngërt barku, vetëm të kenë ngrënë flori.
Dy vite rresht nuk kanë lënë fjalë kundër nesh, opozita e rublave, opozita e lindjes, etj. Por çfarë doli, Deripaska miku i ngushtë i Putinit ka marrë liçencë për të ndërtuar në Shushicë, për të çpuar në puset e naftës, etj. Ai që hiqej si amerikani më i madh i këtij kombi, doli të jetë anti-amerikani më i madh. Ky nën maskën dhe vellon e demokracisë, po bën të njëjtat gjëra që bënte Enver Hoxha. Në kërkojmë të hetohet çështja McGonigal nga institucionet shqiptare. Këto kërkojmë ne të hetojmë. I zgjidhin vetë hallet ata, ne duam të zgjidhim hallet e Shqipërisë, që kanë dashur të vrasin opozitën. Rama s’ka folur asnjë fjalë, sepse po foli do i përdoret në gjykatë”, tha Spaho.