Fatbardh Dervishi, alias Doda, është 32-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia pasi ka plagosur me armë zjarri (me gjasë pa leje) të dashurën e tij, Edis Koroveshin, dhe më pas ja ka mbathur nga vendi i krimit duke lënë të plagosur edhe vajzën e re në dhomën e hotelit.
Doda, i sapo kthyer nga Spanja, ka qëlluar me armë të dashurën e tij në shpatull, e më pas është larguar me mjetin fuoristradë tip “Mercedez Benz GLE”, ngjyrë kafe.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm, në ambientet e brendshme të hotelit ‘Delta’ pranë autostradës Tiranë-Durrës. Çifti, mbërriti në orët e para të mëngjesit në hotel për të kaluar kohë së bashku.
Policia raporton se plagosja me armë zjarri ndodhi në orën 09:20. Kanë qenë punonjësit e hotelit, të cilët kanë gjetur të vetme në dhomë vajzën e plagosur. Ata njoftuan policinë dhe kjo e fundit lajmëroi ambulancën, për të transportuar të renë në spital.
Në dëshminë e dhënë nga Koroveshi, të rinjtë shkuan në hotel për të festuar Vitin e Ri 2022. Sipas 23-vjeçares, plagosja ka ndodhur “pa dashje”, nga i dashuri me të cilin ishte në hotel. Sipas saj, Doda ka qenë i dehur dhe arma i është shkrepur pa dashje.
Largimi nga vendi i ngjarjes është një rrethanë që gjithsesi e rëndon më tej pozitën e autorit të dyshuar për plagosje, ndërsa për policinë rrethanat e krimit janë ende të paqarta.
E reja ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia e Tiranës dhe Fierit, kanë ngritur pika kontrolli në rrugët nacionale për të bërë të mundur kapjen e 32-vjeçarit.
Edis Koroveshi e ka shfajësuar autorin e plagosjes, Fatbardh Dodën, para grupit hetimor. 23-vjeçarja e cila mbeti e plagosur në shpatull nga i dashuri i saj, brenda hotelit ka dëshmuar se ngjarja ndodhi aksidentalisht.
/Priza.al/