Eurostat i renditi shqiptarët si grupimin e dytë më të madh pas marokenëve për përfitimin e nënshtetësisë në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2019.
Në total fituan shtetësinë mbi 706 mijë shtetas të huaj gjatë 2019-s, nga të cilët grupi më i madh i fitimit të kësaj të drejte ishin mbi 66 mijë marokenë. Grupi i dytë ishin shqiptarët, me 41 mijë dhe të tretët britanikët, me mbi 29 mijë persona.
Më shumë se 97% e shtetësive të reja për shqiptarët u dhanë nga Greqia dhe Italia vendet të cilat mbajnë një numër të lartë emigrantesh nga Shqipëria. Greqia u dha shtetësinë rreth 14 mijë shqiptarëve me 2019 dhe Italia shpalli qytetarë të saj rreth 26 mijë shqiptarë në të njëjtin vit.
Ndërmjet periudhës 2014 deri në 2019, numri i shtetësive të dhëna nga një shtet anëtar i BE-së ka ndryshuar nga 672 000 në 2018 dhe 844 000 në 2016. Në vitin 2019 u dhanë 706 000 shtetësi nga vendet BE-së. Marokenët përfituan 9 % te të gjitha shtetësive të dhëna, shqiptarët 6% të totalit dhe qytetarët britanikë, 4% të totalit.
Gjatë periudhës 2014 deri në 2019, marokenët dhe shqiptarët ishin dy grupet më të mëdha që morën shtetësinë e një shteti anëtar të BE-së. Nga viti 2014 deri në 2018, qytetarët turq ishin grupi i tretë më i madh, por në vitin 2019 qytetarët britanikë zunë vendin e tretë.
Popullsia në BE është duke u bërë më diverse. Në vitin 2019 në Luksemburg 61 % e fëmijëve lindën nga nëna me shtetësi të huaj në Austri 31 % dhe Qipro 30 %.
Vitet e fundit, emigracioni në vendet e BE është rritur ndjeshëm. Në vitin 2019, numri më i madh i personave që emigruan u regjistrua në Gjermani (886 000 persona, 21% e të gjithë emigrantëve në BE në Spanjë (750 000 ose 18% e totalit) dhe Francë (386 000 ose 9 % e totalit).
Emigrantët në këto tre shtete anëtare përbënin pothuajse gjysmën e të gjithë emigrantëve që hynë në shtetet anëtare të BE-së në vitin 2019. Në vitin 2019, mbi gjysma e emigrantëve kishin nënshtetësinë e një vendi të huaj (brenda ose jashtë BE) në 23 midis 27 Shteteve Anëtare.
Nga ana tjetër, njerëzit po largohen gjithashtu nga Shtetet Anëtare të BE -së ose në një shtet tjetër anëtar të BE -së ose jashtë BE -së. Emigracioni u rrit në periudhën 2010 deri në 2019 në 20 shtete anëtare dhe u ul në shtatë të tjerat.
Në vitin 2019, numri më i madh i personave që emigruan u raportuan në Gjermani (576 000 persona, 21% e të gjithë emigrantëve nga Shtetet Anëtare të BE), Francë (299 000 ose 11%), Spanjë (296 000 ose 11%) dhe Rumani (234 000 ose 9 %).
Në vitin 2019, rreth gjysma e Shteteve Anëtare raportuan më shumë emigrim kombëtar sesa emigrim jokombëtar, raporton Eurostat.
/Burimi: Monitor.al/