Të paktën 76 persona janë raportuar të vdekur pas një aksidenti me varkë në shtetin juglindor të Anambra të Nigerisë. Varka, e cila mbante të paktën 80 persona, u përmbys të premten në zonën Ogbaru në shtetin Anambra.
Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë, që përpiqeshin të arrinin sigurinë pasi komuniteti i tyre ishte përmbytur nga ujërat e përmbytjeve.
Presidenti Muhammadu Buhari shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave në aksidentin “tragjik”. Ai urdhëroi gjithashtu një rishikim të masave të sigurisë në të gjithë sistemin e transportit ujor të vendit dhe tha se shërbimet e urgjencës duhet të bëjnë gjithçka për të dhënë llogari për të zhdukurit.
Buhari u bëri thirrje agjencive qeveritare “të kontrollojnë protokollet e sigurisë në këto tragete transporti për t’u siguruar që incidente të tilla të shmangen në të ardhmen”.
Raportet e mediave lokale thonë se ata që ndodheshin në varkë ishin nisur për në tregun Nkwo në Ogbakuba përpara se ajo të përmbysej. Disa zyrtarë thanë se varka kishte pësuar një dështim të motorit dhe goditi një urë përpara se të përmbysej.
Thickman Tanimu, koordinator juglindor i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave tha se niveli i ujit është shumë i lartë dhe shumë i rrezikshëm për një operacion të qetë kërkimi dhe shpëtimi.
Guvernatori i Anambrës, Charles Soludo, shtoi se aksidenti ka qenë një tronditje si për banorët ashtu edhe për qeverinë e shtetit, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimës.
Aksidentet me varka janë relativisht të zakonshme në Nigeri, megjithëse shumica fajësohen për mbingarkimin ose masat e dobëta të sigurisë.