Ura që lidh Velipojën me Ulqinin do të ishte me të vërtetë punë me vlerë, kur të kryhet. Prandaj duhet mbështetur si projekt. Njësoj si me rrugët Deçan-Plavë, apo Prizren-Tetovë.
Por, ura mes Velipojës e Ulqinit nuk është meritë e Ballkanit të Hapur dhe as nuk ka lidhje me të. Sepse në radhë të parë, Mali i Zi nuk është pjesë e Ballkanit të Hapur, dhe siç u konfirmua nga Gjukanoviçi, nuk do të bëhet pjesë deri në momentin kur Serbia nuk drejtohet nga rusofilë.
Në radhë të dytë, ura mes Velipojës e Ulqinit është pjesë e autoudhës Adriatiko-Joniane, e cila synon të lidhë me infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe energjetike bregun nga Triesta deri në Kallamatë. Pjesë e të njëjtit projekt me fonde e kredi kryesisht evropiane, është edhe tuneli i Llogarasë.
Nuk ka nevojë për pi-ar të lodhur. Bashkëpunimi rajonal, siç e tha ambasadori Eskobar, do të jetë i suksesshëm vetëm kur janë pjesëmarrës në nivel të njëjtë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra Ballkani i Hapur aktualisht është i pasuksesshëm sepse nuk i përmbush këto kushte të përmendura edhe nga Eskobari.