Sa i takon akuzave të opozitës për përdorimin e të dhënave të portalit shtetëror e-Albania, për qëllime të fushatës elektorale, një reagim ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Tejet i revoltuar referuar sulmeve, Balla sqaron se Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Ai ka lëshuar thirrjen e radhës, se përgjigjen do e marrin në 25 prill.
Më herët, ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj denoncoi Partinë Socialiste se ka përdorur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, duke shkelur privatësinë e tyre, gjë që është vepër penale. Alibeaj tha se në selinë e PS janë vendosur kompjuterë dhe serverë që përgjojnë, dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania për qëllime zgjedhore.
Statusi
O shpifësa të dëshpëruar! Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamunj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja!