Po shkëmbenin lëndë narkotike, arrestohen 5 persona në Fier; sekuestrohen 7 kg kanabis

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Fier pasi janë kapur duke shkëmbyer lëndë narkotike.  Në pranga kanë rënë shtetasit Fatmir Dhimos (Ademi), Leonard Gropa, Ilir Nuhaj, Dardan Kamberaj dhe Simon Toska. Gjithashtu janë sekuestruar 7 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 5 automjete dhe 6 aparate celularë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Fier pas një punë të mirorganizuar, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore se një lokal në fshatin Ofiçinë, Patos ishte përshtatur si ambient për mbajtjen, përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ofiçina”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. Dh. (A)., 47 vjeç, L. G., 50 vjeç, I. N., 30 vjeç, D. K., 45 vjeç, banues në Patos dhe S. T., 49 vjeç, banues në Mallakastër.

Këta shtetas janë kapur në ambiente e lokalit në pronësi të shtetasit D. K në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike.

Gjatë operacionit, forcat policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 6 doza kokainë, 6 aparate celularë dhe 5 automjete.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *