Ish-presidenti Bujar Nishani ka ripërsëritur kërkesën për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti drejtues i Partisë Demokratike. Humbjen e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit, Nishani ia faturon Bashës.
Ai tha se Basha po përpiqet të imponojë modelin e Ramës, dhe se kjo do ta çojë PD-në drejt një tjetër katastrofe, pasi do të jetë vetëm një opozitë formale dhe jo një alternativë qeverisje.
“Refuzimi për ta bërë një gjë të tillë tregon që nuk e ka kulturën demokratike, nuk e ka modelin dhe civilizimin europian, përpiqet të imponojë modelin e Edi Ramës. Do të shkojmë drejt një katastrofe tjetër, sepse mund të kemi një opozitë formale, por nuk do të kemi një alternativë qeverisje. Dhe kjo është një fatkeqësi e madhe për të gjithë vendin, jo vetëm për demokratët”, u shpreh Nishani për Tv Klan.
Nishani dhe Basha janë në një mendim përsa i përket masakrës elektorale të 25 prillit, por sërish ish-presidenti akuzon kryedemokratin se ka qenë i pazoti për të denoncuar këtë masakër që sipas tij filloi para 25 prillit.
“Jam i bindur që ka qenë një masakër elektorale, por masakër që nuk ndodhi më 25 Prill, masakër që ka ndodhur shumë më përpara se 25 Prilli. Dhe ti ke qenë i pazoti për ta denoncuar këtë masakër, ke qenë i pazoti për ta stopuar këtë masakër”, shtoi Nishani.