Gazetari Mentor Kikia ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me peticionin që është iniciuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij kundër ambasadores Yuri Kim, me pretekstin se ajo mbështet Ramën.
Sakaq, Kikia shkruan se në vend që të godasin drejtpërdrejtë kryeministrin Rama të cilin e akuzojnë si të korruptuar, ata po sulmojnë ambasadoren e cila një ditë do largohet nga vendi ynë.
Reagimi i Plotë:
Po sikur në vend të Ambasadores Kim të largojmë Berishën dhe Ramën?
Dua ta them që në fillim se ky peticion më duket veprim jo serioz dhe jo i dobishëm. Megjithëkëtë, ai nuk pritet të ketë ndonjë efekt, pasi një ambasador i huaj largohet nga një vend me të tjera procedura, me akte të posaçme qeveritare. Edhe pse ka një numër modest njerëzish që e kanë firmosur atë, shija e një ngjarjeje të rrallë si kjo, është gjithësesi e hidhur, pasi në fund të fundit po kërkohet largimi i ambasadorit të një vendi jo thjeshtë mik, si SHBA.
Nuk është nevoja të rikthehet arkivi i historisë për të kuptuar rëndësinë e marrëdhenieve mes dy vendeve. Por, referuar vetëm faktit se Shqipëria është vendi me forcat e armatosura dhe armatimet më modeste në rajon, atëherë këto raporte shndërrohen në domosdoshmëri dhe jo thjeshtë në nevojë.
Por a janë cënuar marrëdhëniet mes dy vendeve nga të tilla lëvizje? Unë mendoj se shqetësimi i disa zërave se, “këta” po na prishin me Amerikën, nuk është aspak real. Sepse marrëdhëniet mes dy vendeve përcaktohen nga politikat zyrtare dhe jo nga lëvizje “të një grushti njerëzish”. Dhe, në aspektin zyrtar, këto marrëdhënie janë dhe do të jenë në pikën e tyre kulmore.
Ka disa, mes atyre që mbështesin këtë ngjarje(peticionin), që thonë se qëndrimet e ambasadores Kim kanë nxitur një frymë anti-amerikane, pasi ajo po sillet si guvernatore. Madje ky përcaktim është bërë tashmë zyrtar nga ana e z.Berisha dhe eksponentëve të PD-së që mbështet atë.
Në fakt Shqipëria ka vite që “vuan” nga tutela e institucioneve dhe diplomatëve të huaj. Dhe këtë e ka kërkuar vetë, pasi çdo marrëveshje është arritur vetëm nga negocimi, ndërmjetësimin dhe presioni i tyre, në kushtet kur palët politike nuk binin dot në ujdi. Për vite e vite më radhe, ambasadat e huaja kanë gëzuar më shumë besueshmëri sesa vetë institucionet e vendit, duke filluar nga qeveria, parlamenti e gjykatat.
Gjithkush do të surprizohej nëse Ambasada e SHBA në Tiranë do të bënte publike ankesat e qytetarëve shqiptare për problemet që nuk marrin zgjidhje nga institucionet e shtetit të tyre.
Në vitin 2003, ambasadori Xhejms Xhefri, u detyrua të dilte publikisht me një deklaratë të fortë, pasi kishte marrë denoncime për një bandë kriminale që shantazhonte ndërtues duke u marrë prona me dhunë. “Ne e dimë kush jeni dhe ku fshiheni. Ne nuk do lejojmë më që ju të vazhdoni”. Pas kësaj deklarate, policia ndërhyri dhe i dha fund një prej bandave kriminale më famëkeqe në Tiranë.
Për çdo parregullsi në zgjedhje, pala e humbur i është drejtuar në një mijë mënyra dhe kanale pikërish ambasadave të huaja në Tiranë.
Ne i kemi drejtuar sytë nga ambasadat e huaja, sepse nuk kemi bërë dot shtetin tonë funksional, drejtësinë tonë. Dhe sot, në mënyrë paradoksale, akuzojmë ambasadoren Kim se mbështet Ramën, “një kryeministër i korruptuar dhe që ka kapur drejtësinë”. Por, në vend që të ngrihemi, të zemërohemi dhe të dëbojmë kryeministrin tonë nga zyra, duam të dëbojmë ambasadoren.
A nuk kemi qenë ne, që në mënyrë masive kemi besuar, shpresuar dhe kërkuar që të huajt “të vënë dorë dhe ta na e heqin qafe kastën e vjetër politike, që është e korruptuar dhe që nuk i lëshon livadhet që ka pushtuar”? Pra, atë që ne nuk e kemi bërë dot me votë, e kemi kërkuar vazhdimisht të na e bëjnë të huajt.
Do të ishte shumë më e dobishme, më dinjitoze, më serioze, sikur ne të zemëroheshim me qeverinë dhe njerëzit e korruptuar, të zemëroheshim me kastën politike 30 vjeçare, me oligarkinë politiko-financiare që ka pushtuar tokën, detin dhe ajrin.
Zonja Kim një ditë do të ikë, dhe do të na lërë sërish këtu dhe kështu siç jemi, ashtu siç na kanë gjetur e na kanë lënë të tjerë para saj.
Sa më shumë Berisha dhe njerëzit e tij të sulmojnë ambasadën e SHBA, aq më shumë qeveria do të fshihet pas flamurit amerikan.
Është histori e vjetër kjo.
Në Prill 1924, plot 98 vjet më parë, në Mamurras u vranë dy shtetas amerikanë, turistë. Qeveria e kohës, me kryeministër Ahmet Zogun, shkoi në litar disa njerëz dhe shtroi në dru e mbylli në burgje gjysmën e opozitës së peshkopit Fan Noli, se kanë vrarë amerikanët që të na prishin me Amerikën. Ndërsa opozita, nga ana e saj, akuzonte se qeveria i ka vrarë vetë amerikanët, që të na akuzojnë neve, që të na quajë anti-amerikanë, e të na prishë me Amerikën. Ndërsa të dyja palët, çdo mëngjes, shkonin për ngushëllime tek Rruga e Elbasanit, derisa një ditë nëpunësit, të mërzitur, u thanë se nuk presin më ngushëllime…
Zogu u përmbys nga Noli. Pastaj Zogu erdhi sërish dhe Noli iku për të mos ardhur më. Pastaj iku edhe Zogu për të mos ardhur më. Pak më vonë ikën edhe amerikanët, se erdhi Enveri me komunistët. Komunistët ikën dhe amerikanët erdhën sërish.
Ndërsa ne jemi po këtu, vidh, akuzo, vrit e shaj njëri-tjetrin dhe tund flamurin amerikan.