Nuk ka mjaftuar masakra e Velipojës për shezlonget e plazhit me 4 të vrarë dhe 2 të plagosur, që ministri i Turizmit t’i thërrasë mendjes dhe të tregohet të paktën serioz me detyrën e tij.
Këtë të hënën (5 Korrik 2021), Ministria e Turizmit do të rihapë aplikimet, për të gjithë operatorët që nuk arritën ta kryenin këtë proces, për t’u pajisur me leje plazhi.
Nga Kavaja, ku zhvilloi një takim me bizneset e këtij sektori, ministri Blendi Klosi, tha se, aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri në fund të javës.
“Ajo që është e rëndësishme është të theksoj se parcelat që janë pa aplikime të nxiten qytetarët të aplikojnë. Besoj, ditën e hënë do të përfitojnë nga rihapja për një kohë 5 ditore dhe për të plotësuar gjithë sipërfaqen e menaxhuar në Bashkinë e Kavajës”,- deklaroi ai
Ministri i nxit bizneset që të aplikojnë, por sipas të dhënave në bashkinë Kavajë, ekziston një problematikë për këtë çështje, pasi ka më shumë aplikime se sa ka parcela në dispozicion.
Kështu në territorin e bashkisë së Kavajës janë gjithsej 258 parcela, nga të cilat 133 janë parcela të menaxhuara dhe 55 janë publike.
Për këto 133 parcela të menaxhuara deri më tani janë bërë gjithsej 198 aplikime. Pra shumë më tepër, se sa ka parcela plazhi në dispozicion.
Edhe një ditë më parë, ministri pranoi vonesat në procesin e pajisjes me leje për shfrytëzimin e vijës bregdetare, por kjo vonesë, sipas tij, erdhi për shkak të procesit zgjedhorë.
Tashmë e gjithë situata e paqartësisë në plazhe pritet të zgjidhet gjatë javës së ardhshme.
/Priza.al/