Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë…
Edhe pse ai nuk është më midis nesh, poezia e Dritëro Agollit, prania e tij artistike, vjen pothuajse çdo ditë tek ne me vargjet e veprat që ai ka lënë. Poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX.
Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, dhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Dritëro Agolli u zgjodh për 30 vite me radhë deputet në Parlamentin Shqiptar.
Sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe poetit të madh, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta vetëm 4 vite më parë, në shkurt të 2017-s.
Dritëro Agolli ka lindur më 13 tetor të vitit 1931 dhe këtë tetor Dritëroi do të mbushte 90 vjeç. Ndonëse ai mungon prej katër vitesh, urimet për shkrimtarin nuk reshtin, duke e kujtuar përmes veprës së tij. Ndërsa e bija, Elona, ka një urim të veçantë për të. Ajo ka ndarë në rrjetet sociale një kartolinë të 12 viteve më parë, të 13 tetorit të 2009-s, ku i uron ditëlindjen babait të saj.
“Në vitet, kur me babin shkëmbenim kartolina të çuditshme urimi …”, shkruan Elona Agolli në Facebook.
Me penën e tij, Dritëro Agolli u bë për lexuesin njeriu i të vërtetave, i harmonisë dhe jo i konfliktit, i dashurisë dhe jo i urrejtjes.
Në gjithë lëmin e krijimtarisë së tij, ai u mishërua me tokën, natyrën, me gjërat konkrete e abstrakte që ngërthen në vete hapësira shqiptare. Pra, në poezinë e tij pasqyrohet shpirti i vendit e i popullit të tij, dhe për këtë ai do të fitonte edhe epitetin e poetit të Tokës.
Poezia e Agollit rrallë ngërthen në vetvete një gjuhë simbolike, ajo, në të shumtën e rasteve komunikon lirshëm e drejtpërdrejt me lexuesin. Ndryshe nga shumë poetë, të cilët vargun hermetik e shohin si sinonim të modernes, për Dritëro Agollin në gjithë krijimtarinë e tij sinonim i modernes ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me lexuesin në një gjuhë të thjeshtë e sa më pranë tyre.
Duke qenë një poet eksplicit (i qartë), poezia e Agollit i dedikohet fëmijës, nxënësit, mësuesit, fshatarit, intelektualit.
Eseisti i njohur anglez Tomas Strns Eliot do të shprehej: “Kur një qytetërim është i shëndoshë, atëherë poeti i madh do të ketë diçka t’i thotë edhe shokut të tij fshatar të çdo shkalle të edukimit”. Një gjë të tillë e ka bërë dhe poeti ynë që me penën e tij kishte çfarë t’u thoshte të gjithëve.