Ish-ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Pojar, ka thënë se iniciativa “Ballkani i Hapur” mund të keqpërdoret dhe të shkoj kundër shteteve të vogla dhe të dobëta.
Pojar, që është këshilltar i kryeministrit të Çekisë ka thënë se gjithmonë shtetet duhet të jenë të vëmendshme ndaj qëllimeve të fqinjëve.
“Fqinjët supozohet ta ndihmojnë njëri-tjetrin, por ju gjithmonë duhet ta jeni të vetëdijshëm për qëllimet e fqinjëve dhe regjimeve tjera, kështu që ndonjëherë bashkëpunimi mund të jetë shumë sfidues apo i pamundur. Natyrisht, ne duhet të përpiqemi për stabilitet, por fqinjët duhet të sillen siç duhet dhe nuk duhet të kenë qëllime grabitqare. Vendi duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur angazhohet në forma të ndryshme të bashkëpunimit, sepse ndonjëherë edhe idetë e mira mund të keqpërdoren dhe nuk janë mënyra më e mirë për të ecur para. Kështu mund të ndodhë me ‘Ballkanin e Hapur’ ku grabitqarët e mëdhenj do të abuzojnë me këtë iniciativë kundër më të vegjëlve”, ka thënë Pojar.
Ai është pyetur edhe pse SHBA-ja e disa shtete të BE-së po e përkrahin këtë iniciativë.
“S’mund të komentojë qëndrimin e SHBA-së, të shteteve individuale të BE-së apo zyrtarëve në lidhje me mbështetjen e ‘Ballkanit të Hapur’. Por, ndonjëherë besimi në idetë e paketuara bukur është i tillë që nuk ka përceptim të saktë se si do të zbatohet. Ja shikoni se çfarë pritshmërie kishin disa vende nga Putini në 30, 10 vjetët e fundit apo që nga viti 2014. Është mirë të jemi optimistë dhe të besojmë se nëse bashkëpunojmë gjithçka do të jetë mirë, por kjo mund të abuzohet nga grabitqarët e vërtetë”, tha Pojar.
Iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është nisur nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, ndërsa pro bashkimit në të është deklaruar edhe Mali i Zi. Kosova gjithmonë është shprehur kundër bashkimit në këtë iniciativë.