Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, duke u shprehur se të gjithë mund të gabojnë, duke iu referuar përplasjes që ky i fundit kishte me efektivët e Policisë së Shtetit. Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Rama tha se për të rëndësi kishte që çështja po adresohej në strukturat e duhura.
PJESË NGA KONFERENCA:
Pyetje: Nesër mbërrin në Tiranë Philiph Reeker. Çfarë të presim nga vizita?Ndonjë mesazh politik…?
Rama: Ta presim, ta presim!
Pyetje: Jeni i sigurtë që do t’ja dalë policia që të çlirojë plazhet dhe nuk do të pengohet nga ndonjë zyrtar i lartë si kryebashkiaku Pjerin Ndreu për shembull?
Rama: Nuk kuptoj lidhjen mes zaptimit të plazhit dhe muzikës. Kur vjen puna tek ofendimi i Policisë askush nuk ia hedh dot lehtë. Por Policisë i bëhet edhe një ofendim i vazhdueshëm. Kur i hidhet faji për çdo që ndodh. Ka proces, unë do shqetësohesha nëse Policia nuk do kishte ndjekur rrugën ligjore. Të gjithë mund të gabojnë dhe të përgjigjen për gabimet e tyre.
Rëndësi ka që në këtë rast nuk kemi tolerim të faktit që një zyrtar i lartë ofendon një patrullë apo punonjës policie. Ofendimi i madh që i bëhet policisë është ajo e përditshme dhe mungesa e mbështetjes. Përmbytja e opinionit me gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha. Nëse do të ishte kështu, SHBA ku vriten me dhjetra njerëz do të duhej që Policia dhe gjithë të çoheshin në gjyq popullor. Nuk ndodh kështu. Kështu që duhet ta përsëris, ne jemi të shqetësuar që puna të bëhet më mirë. Por të thuhet se 1, 2, 3 ngjarje të rënda, na e bëjnë Shqipërinë një vend ku turistët kthehen pas, është qesharake.