Policia serbe ka rrëmbyer të mërkurën tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, të cilët ishin në detyrë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Policët kufitar: Rifat Zeka, Beqir Sefini dhe Mustafa Shemi, pas kidnapimit janë tërhequr në territor të Serbisë dhe për fatin e tyre shteti ynë nuk ka asnjë informacion. Por është një avokat serb, Çedomir Stojkoviq, i cili sot ka thënë se tre policët e rrëmbyer nga Serbia ndodhen në Kralevë, ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para Prokurorit të Lartë Publik në Kralevë.
Ai tha se sot deri në orën 12:30 duhet të vendoset për ta meqë iu skadon 48 orëshi i ndalimit policor.
“Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kralevë do të vendosë nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendosë nëse do të caktojë paraburgim prej 30 ditësh. E gjithë kjo duhet të vendoset deri në orën 12:30, kur skadon 48-orët e ndalimit policor”.