Kur ka kaluar vetëm një muaj nga nisja e kryerjes së testit të drogës te efektivët e Policisë, është marrë masa e shkarkimit nga detyra për një punonjëse pranë Drejtorisë së Elbasanit, e cila rezultoi përdoruese e kokainës.
“Tv Klan” shkruan se, aktualisht strukturat përkatëse, pritet të marrin të njëjtën masë edhe për një tjetër efektiv i cili është nën hetim administrativ.
Këta nuk janë efektivët e vetëm që kanë rezultuar përdorues droge. Një numër i konsiderueshëm punonjësish në disa komisariate të vendit rezultuan të ishin pozitivë, thënë ndryshe, përdorues droge në bazë të atesteve.
Rezultatet u kundërshtuan nga shumë efektivë, duke bërë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të deklaronte se do të kryheshin kontrolle të imtësishme.
Në bazë të ligjit, pas një testi pozitiv, është Drejtoria e Standardeve që nis ecurinë disiplinore deri në vërtetimin ose jo, që punonjësi i policisë është përdorues droge.
/Priza.al/