Policia e Shtetit ka dhënë ditën e sotme detaje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mesnatën e 27 marsit. Godina e televizionit kombëtar “Top Channel” u sulmua me breshër kallashnikovi, nga ku mbeti i vrarë roja i objektit, Pal Kola.
Përveç të dhënave nga hetimet e deritanishme, policia njofton edhe shpërblimin prej 100 mijë eurosh për këdo që ka dhe jep informacion lidhur me autorët e ngjarjes. Gjithashtu, blutë garantojnë anonimatin e personave që mund të japin informacion të vlefshëm.
Deklaratë për shtyp e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në vijim të njoftimit të dhënë mëngjesin e datës 27.03.2023, për ngjarjen e ndodhur në Mëzez, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i sigurisë, shtetasi Pal Kola, ju informojmë si më poshtë:
Më datë 27.03.2023, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç. Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.
…
U formua grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në vendin e ngjarjes dhe në vendin e djegies së automjetit.
…
Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të evidentuar nga Policia, në Kavajë, Vlorë etj.
…
Më datë 27.03.2023, në orën 19:00, nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar një analizë e detajuar e veprimeve hetimore të kryera, janë përcaktuar versionet hetimore dhe një grup i posaçëm hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore të deleguara me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Po kështu, po analizohen të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor, për kryerjen e këtij hetimi.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.