Autoritetet belge kanë arrestuar tetë persona pas një sërë bastisjesh, nën dyshimin se planifikonin sulm terrorist në Belgjikë, kanë njoftuar sot nga zyra e prokurorit.
Ata deklaruan se objektivi i sulmit të mundshëm nuk ishte i qartë, dhe nuk komentuan se sa të avancuara ishin përgatitjet.
Policia bastisi pesë adresa të hënën mbrëma në Bruksel, Antwerp dhe Eupen, një qytet afër kufirit gjerman, dhe arrestoi pesë burra, të paktën dy prej të cilëve dyshohen se kishin planifikuar sulmin.
Në një hetim të veçantë, policia bastisi edhe tri adresa të tjera brenda dhe përreth Brukselit dhe arrestoi tre persona, gjithashtu të dyshuar për planifikimin e një sulmi.
“Ka lidhje mes dy rasteve, por do të nevojiten hetime shtesë për të treguar se në çfarë mase janë të lidhura dy grupet”, thanë prokurorët.
Gjyqtarët do të duhet të vendosin nëse tetë të arrestuarit do të akuzohen dhe nëse do të mbahen më gjatë në paraburgim.
Belgjika ishte shtëpia e shumë prej autorëve të sulmeve të Parisit të vitit 2015 që vranë 130 njerëz, dhe vetë Brukseli ishte objektivi i dy shpërthimeve në aeroport dhe metro në mars 2016, kur u vranë 32 persona.
Brukseli është selia e institucioneve të BE-së dhe NATO-s. Gjyqi për sulmet në Bruksel po zhvillohet në ish-selinë e NATO-s.