Policia bën bilancin e javës: 154 arrestime dhe 24 të shpallur në kërkim

Policia e shtetit ka bërë përmbledhjen e arrestimeve dhe operacioneve të zhvilluara gjatë një jave.

Mësohet se janë arrestuar 154 shtetas dhe 24 janë shpallur në kërkim nga 32 operacione policiore.

Sakaq janë pezulluar në total 631 leje drejtimi.

Njoftimi i plotë:

✅  Angazhim në terren, 24/7, i strukturave të Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmëritë në cilëndo formë të shfaqjes së tyre.

✅  Punë hetimore dhe operative-gjurmuese, për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, operacione dhe megaoperacione për goditjen e krimit dhe krimit të organizuar.

✅  Gjatë kësaj jave, janë proceduar penalisht në total, 441 shtetas, nga këta: 154 janë arrestuar, 263 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 24 janë shpallur në kërkim.

✅  Janë lokalizuar dhe kapur 27 persona në kërkim, nga të cilët 26 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale.

✅  Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar dhe goditur 11 raste dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, 7 mjete prerëse (thika), 1 dorezë dhe 1 shkop (si ata të Policisë).

✅  Gjatë kësaj jave janë finalizuar 32 operacione policore dhe 1 megaoperacion, për goditjen e paligjshmërive në fusha të ndryshme.

✅  54 shtetas të arrestuar, 16 shtetas të shpallur në kërkim dhe 127 shtetas nën hetim, si rezultat i 2 fazave të megaoperacionit antidrogë “Knock Down”, të zhvilluar nga DVP Korçë. Kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri dhe sende të tjera të kundërligjshme, të sekuestruara gjatë 2 fazave të këtij megaoperacioni.

✅  1 ton e 162 kg lëndë plasëse, 3815 kapsolla elektrike, të sekuestruara dhe 6 shtetas të vënë në pranga, si rezultat i finalizimit të operacionit “Toka e artë”, nga DVP Dibër. Operacioni goditi përdorimin e tregtimin e kundërligjshëm të lëndëve plasëse dhe informalitetin.

✅  Ka vijuar megaoperacioni “Kuito”. Policia e Vorës vuri në pranga një 46-vjeçar, i cili lëvizte me dokumente të falsifikuara, me masë sigurie “Arrest në burg”, pasi ishte i kërkuar si pjesëtar i një grupi kriminal që dyshohet se do të trafikonte drejt vendit tonë, 137 kg kokainë, në vitin 2019.

✅  Gjatë operacionit “Neutralizimi”, në Vaun e Dejës, u neutralizua dhe u vu në pranga, një 49-vjeçar me rekorde të theksuara kriminale, për krime ndaj personit dhe armëmbajtje pa leje, i cili hapi zjarr ndaj shërbimeve të Forcës Speciale RENEA.

✅  Në kuadër të operacionit “Lokalizimi”, në Pogradec, u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 07.09.2022, në fshatin Gështenjas, ku mbeti i vrarë me mjet prerës (thikë), një 65-vjeçar.

✅  Në fushën e narkotikëve janë finalizuar një sërë operacionesh, si rezultat i të cilave janë goditur 23 raste në të gjithë vendin. Janë sekuestruar sasi të drogave të llojeve të ndryshme, si dhe 38 automjete, 7 peshore elektonike, 49 celularë dhe shuma parash.

✅  Në fushën e krimit ekonomik dhe financiar në të gjithë vendin, janë goditur 42 raste, nga këto 6 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme, në Vlorë, Tiranë dhe Korçë.

✅   Gjatë 2 fazave të operacionit “Fasada”, në Elbasan, janë konfiskuar pasuri me vlerë 3 000 000 euro, që burojnë nga veprimtari kriminale, si dhe është vendosur sekuestro preventive për pasuri të tjera, me vlerë 400 000 euro.

✅  Nga DVP Tiranë janë zhvilluar 8 operacione për evidentimin dhe goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Si rezultat i operacioneve, janë vënë 9 shtetas në pranga dhe janë sekuestruar 9 aparate celulare.

✅  Janë finalizuar 8 operacione policore, në Gjirokastër, Korçë dhe Fier, për goditjen e transportimit kundrejt fitimit, të emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit. 9 shtetas janë vënë në pranga për këtë veprimtari kriminale.

✅  Në vijim të angazhimit nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet mbështetëse, janë evidentuar dhe goditur 23 raste të krimeve mjedisore dhe janë trajtuar ligjërisht 32 raste të dhunës në familje.

Policia Rrugore/Monitorim i pandërprerë i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, nëpërmjet mjeteve inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

  • Si rezultat i monitorimeve, janë pezulluar në total 631 leje drejtimi, nga të cilat: 498 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 91 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 42 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
  • Përmes përdorimit të alkool-testuesve dhe si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, janë arrestuar 44 drejtues mjetesh, nga këta: 25 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 19 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
  • Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 7 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 4 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Kufitare/Kontrolle intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Të angazhuar për t’iu ofruar qytetarëve në hyrje/dalje, në pikat e kalimit kufitar, shërbim sa më cilësor.

  • Në bashkëpunim me DVP-të përkatëse, janë goditur 13 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
  • Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”; 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 2 shtetas për “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.

Policia e Shtetit do të intensifikojë operacionet dhe megaoperacionet në çdo qark të vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për evidentimin e goditjen e paligjshmërive në tërësi.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *