Policia e Shtetit bën bilancin e muajit mars, gjatë të cilit janë finalizuar 89 operacione policore, u arrestuan 675 persona dhe u sekuestruan 700 mijë euro në pikat kufitare.
Përgjatë muajit mars, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin, kanë qenë të angazhuara maksimalisht në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive. Strukturat hetimore, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të autorëve të tyre.
Falë këtij angazhimi:
Janë finalizuar 89 operacione policore;
Janë vënë në pranga 675 shtetas, 97 prej tyre të kërkuar kombëtarisht apo ndërkombëtarisht;
Janë parandaluar 12 ngjarje kriminale që përfshijnë tentativa për vrasje me eksploziv dhe mbajtje arme për qëllime kriminale, si dhe raste të tjera që mund të kryheshin me përdorimin e armëve të zjarrit apo armëve të gjahut, si konflikte, konflikte në familje, vjedhje dhe kanosje, për motive të ndryshme
Po në funksion të parandalimit të ngjarjeve kriminale, janë goditur 79 raste në fushën e armëmbajtjes pa leje, si rezultat i të cilave janë sekuestruar 38 armë zjarri, 10 armë gjahu, 500 g eksploziv, 9 granata dhe mijëra fishekë.
Parandalimi dhe goditja e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si dhe goditja e tentativave për kultivim të bimëve narkotike në sera dhe në terren të hapur ka qenë një tjetër fokus i punës policore në terren. Kundër këtij fenomeni, Policia ka kryer punë të mirëfilltë hetimore dhe operacionale, si dhe ka realizuar një fushatë sensibilizuese mbarëkombëtare, për të rritur vigjilencën e aktorëve në terren dhe për të informuar qytetarët për pasojat penale dhe sociale të këtij fenomeni.
Si rezultat, janë finalizuar 5 megaoperacione, në Shkodër, Tiranë dhe Krujë, të koduara “Krateri”, “Njësia”, “Shtëpia jeshile”, “Tuneli” dhe “Pëllumbi”;
31 sera në Shkodër, 1 vilë në Tiranë, 2 ambiente dhe tunele në Krujë, janë zbuluar dhe janë shkatërruar;
Janë sekuestruar 10 150 fidanë narkotikë (gati për t’u mbjellë në tokë), 658 bimë kanabisi, 1153 fara kanabisi, si dhe qindra pajisje elektrike që mundësonin kultivimin në ambiente të mbyllura;
13 shtetas janë vënë në pranga për këto raste, si dhe punonjës të OSHEE-së dhe ujësjellësve, janë proceduar penalisht, për dyshime për lejimin e zhvillimit të kësaj veprimtarie.
Në drejtim të goditjes së veprimtarive kriminale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike:
Janë finalizuar 2 megaoperacione, në Vlorë dhe në Tiranë, të koduara “Camper” dhe “Harta”, te cilat goditën 3 grupe kriminale që shitnin droga të forta dhe kanabis. 4 romunë në Vlorë dhe 20 shtetas në kryeqytet, u prangosën për këto megaoperacione;
19 operacione të tjera, u finalizuan në qarqe të ndryshme, për goditjen e shitjes në doza dhe trafikimit të lëndëve narkotike;
375 kg kanabis, 3 kg kokainë, 155 doza heroine, metadon i lëngshëm dhe rreth 400 000 lekë, janë sekuestruar gjatë të gjitha rasteve të goditura në këto fusha.
Mbështetur nga inteligjenca informative, gjatë muajit mars, në kuadër të operacioneve “Member”, “Liqeni”, “Pjesëtar”, “Catch”, “Lokalizimi” dhe “Altamura”, u kapën 6 anëtarë të organizatave dhe grupeve të ndryshme kriminale, brenda dhe jashtë vendit, për drogë, krime kundër personit dhe ndihmë emigrantëve;
Rreth 700 000 euro me burime të dyshimta, janë sekuestruar gjatë kontrolleve në pikat e kalimit kufitar, si dhe gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në portin e Durrësit dhe në Tiranë.
Nga strukturat hetimore të Policisë në qarqe, janë finalizuar 18 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike dhe kontrabandës. Si rezultat, janë sekuestruar 353 pako me produkte të kontrabanduara, 6 automjete luksoze, 800 monedha dhe kartëmonedha koleksioni, 700 kg duhan dhe 60 steka me cigare.
Në bashkëpunim me prokuroritë respektive, si rezultat i punës gjurmuese për identifikimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, janë sekuestruar 25 pasuri në pronësi të shtetasve me precedentë kriminal.
Gjatë muajit mars 2023, fokus i punës policore ka qenë edhe goditja e rasteve të vjedhjeve. Për këtë veprimtari që cenon pronën dhe pasurinë e qytetarëve, janë goditur 99 raste, 44 prej tyre në kryeqytet.
Në Korçë, Vlorë, Kukës dhe Gjirokastër, u goditën 9 raste të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve. Gjithashtu, u sekuestruan automjetet me të cilat transportoheshin shtetasit e huaj, si dhe para të përfituara nga transportimi.
Në fushën e krimeve mjedisore u goditën 53 raste, ndërsa në fushën e lojërave të fatit u goditën 15 raste. Në kuadër të kontrolleve në ambiente të përshtatura për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, u sekuestruan 3 tavolina pokeri, 11 kompjuterë, dhjetëra celularë dhe rreth 400 000 lekë.
?Shërbimet e Policisë Rrugore dhe flota e tyre logjistike kanë shtuar prezencën në çdo aks të vendit, për të parandaluar aksidentet rrugore, si dhe për të sensibilizuar për kontributin e gjithsecilit për sigurinë në rrugë. Gjatë këtij muaji, janë vënë në pranga 160 drejtues mjetesh, prej tyre 107 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit dhe 53 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë pezulluar 1572 leje drejtimi, prej tyre 1109 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 209 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 254 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Intensifikimi i kontrolleve në të gjitha pkk-të e vendit, të bazuara në analizat e riskut, ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie kokaine që tentohej të trafikohej drejt Greqisë, shumave të parave të padeklaruara, procedimin penal të dhjetëra shtetasve për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe me goditjen e një sërë rastesh të falsifikimit të dokumenteve.
????️Dhjetëra efektivë të Policisë në Tropojë, Durrës dhe Vlorë, të Njësisë së Policisë Alpine dhe të RENEA-s, janë angazhuar për shpëtimin e 8 shtetasve të huaj dhe shqiptarë, që u rrezikohej jeta në det apo në pika turistike, nga kushtet e motit apo terreni i vështirë.
Bashkëpunimi me qytetarët dhe me partnerët, operacionet policore dhe kontrollet në terren, vijojnë.