Një konflikt mes dy familjeve në Garunjas të Lushnjes para 3 vitesh i kushtoi jetën Romeo Hasallës, ndërsa sot u plagos një grua. Pasi po kthehej nga gjyqi i të vëllait, 60-vjeçarja Bajame Senej u qëllua me armë zjarri nga një makinë në lëvizje e si pasojë mori një plumb në këmbë. Për Policinë e Shtetit, autori i dyshuar është Armando alias Emiljan Hasalla. Por vëllai i tij, Laerti, mohon që familja e tij të jetë përfshirë në këtë ngjarje.
Në një bisedë telefonike nga Italia, ai pretendon se vëllai, Armando aktualisht është në Greqi, duke ngulur këmbë se që nga viti 2019, nuk kanë pasur përplasje të tjera me familjen Hasalla. Megjithatë për zbardhjen e të vërtetës, bën me dije se ia ka lënë në dorë shtetit.
Laert Hasalla: Unë jam Laert Hasalla, çuni i Shaip Hasallës nga Garunjas.
Pyetje: Ku ndodhesh ti?
Laert Hasalla: Unë ndodhem në Itali në Sannicandro di Bari, kam hipur që mbrëmë në traget në orën 19:30.
Pyetje: E more vesh ngjarjen ditën e sotme?
Laert Hasalla: Unë tani e mora vesh dhe vëllai im nuk ishte fare aty, është në Greqi. Do të flasësh edhe ti në telefon me atë. Ne nuk jemi fare në Shqipëri. Unë jam me gjithë familje dhe me gjithë nuse me dy fëmijët jam në Itali. Vëllai është në Greqi ka nga data 11, 12 Mars, ka ikur në Greqi. Ata e kanë nxjerrë në kërkim, nuk e di çfarë kanë trilluar aty ata.
Pyetje: Si quhet vëllai?
Laert Hasalla: Armando, se e ka ndërruar ai nga Emiljan e ka Armando Hasalla.
Pyetje: Kush dyshoni që kanë qenë?
Laert Hasalla: Nuk më intereson fare. Ata e kanë bërë vetë këtë gjë.
Pyetje: Pse?
Laert Hasalla: Sot ka qenë babai në gjyq dhe atyre i janë dhënë dënime dhe tani paskan ardhur me avokatin lart. Çfarë do avokati që i shoqëronka këta nëpër shtëpi. Siç ka deklaruar vetë, avokati i shoqëron këta nëpër shtëpi dhe këta tjerët janë me makina. Ata e kanë bërë vetë këtë çështje se ku ta di unë më, duan të shpëtojnë mbase nga ato 30-40 vjet burg që ka ngrënë i vëllai që vrau 3 veta. Nuk ka të drejtë të më cënojë mua familjen dhe të më thotë mua që ma ka bërë ky. Unë do i hedh në gjyq, do i çoj në Gjykatë të Lartë për këtë gjë që më akuzon dhe më ka shqetësuar.
Pyetje: Në gjyqin e Kastriot Hasallës, kush ka qenë nga familjarët tuaj sot?
Laert Hasalla: Ka qenë vetëm babai se unë jam në Itali sot. Babai më ka folur në orën 16:30 dhe babai sa zbriti nga makinat. E pashë nga kamerat e telefonit, kur zbriti babai nga makina dhe e mora në telefon me anë të nuses të vëllait se nuk ka njeri atje.
Pyetje: Si e more vesh ngjarjen për sot?
Laert Hasalla: Më ka marrë daja në telefon, nuk e dija fare, jam tek vjehrri në Itali. Në Bari, Sannicandro di Bari quhet fshati.
Pyetje: Keni pasur konflikte të tjera që pas vrasjes së Romeos?
Laert Hasalla: Unë nuk kam pasur fare konflikte. Unë ia kam lënë shtetit në dorë këtë punë. Të ishte për t’u marrë me këtë punë nuk prisja fare. Ata kanë një vit që kanë dalë nga burgu dhe nuk kam pasur as gërricje me ta dhe asgjë. Kështu që unë nuk kam punë fare më me ta.
Por ndryshe nga Laert Hasalla, Afrim Hasalla, vëllai i të plagosurës pretendoi se të shtënat me armë që u qëlluan ndaj motrës së tij erdhën nga familjarët e Shaip Hasallës. Afrimi tha se Kastrioti mbrojti në konfliktin që ndodhi në vitin 2021 vëllain dhe djalin e tij. Shkak i konfliktit mes dy familjeve është bërë një sipërfaqe toke prej 2 hektarësh e mbjellë me ullinj, e si pasojë humbi jetën Romeo.