Policia dhe hetuesit e BKH kanë bastisur vilën e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj në Surrel. Pas kontrollit të pak ditëve më parë në banesën e tij në Fushë Kuqe, këtë pasdite forcat speciale kanë shkuar në Surrel, aty ku Martinaj ka një tjetër banesë.
Nga të dhënat paraprake mësohet se në banesë policia ka gjetur vetëm rojen dhe asnjë pjesëtar të familjes. Po ashtu nga 2 orë kontrolle janë sekuestruar vetëm dokumente dhe nuk ka pasur prani të sendeve të paligjshme.
Vila në fjalë ndodhet shumë pak metra larg banesës së kryeministrit Edi Rama dhe kur ky i fundit u zhvendos aty, Garda ka qenë e shqetësuar nga prania e Ervis Martinajt, i cili në atë kohë nuk ishte në kërkim. Sipas informacioneve, urdhri për të zhvilluar kontroll në banesën e Martinajt është dhënë nga Prokuroria e Posaçme.
SPAK e kërkon Martinajn pas rrëfimit të Nuredin Dumanit se e kishte porositur për të eliminuar Endrit Doklen për 500 mijë euro, detyrë që nuk u krye asnjëherë për shkak se bashkëpunëtori i drejtësisë e kishte konsideruar të vështirë.
Ndërkohë kjo është konfirmuar edhe nga gazetari Artan Hoxha, i cili shprehet në rrjetet sociale se forcat speciale kanë rrethuar vilën dhe prej më shumë se 2 orësh janë duke kryer kontrolle të imtësishme. Sipas tij, vila ruhet me roje dhe ka kamera sigurie me rezolucion shumë të lartë. Ndërkohë nuk ka ende një reagim nga policia apo SPAK për kontrollin në fjalë.
Ervis Martinaj është personazhi më në qendër të vëmendjes. Që prej verës së vitit që kaloi, nuk dihet asgjë për të. Policia ka lëshuar një urdhër arresti, ndërkohë që familja e ka denoncuar atë si të zhdukur. Prokuroria po heton në dy pista: atë të rrëmbimit dhe vrasjes nga grupet rivale, si dhe pistën që ai është gjallë dhe qëndron i fshehur. Pak ditë më parë një kontroll i ngjashëm u bë në shtëpinë e tij në Fushë Kuqe ku u gjet një arsenal i madh armësh por, nuk ka asnjë gjurmë të Martinajt.