Në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”, i pranishëm ishte dhe kryeministri i vendit Edi Rama. Në këtë 25 vjetor të Çlirimit të Kosovës, ai i dedikoi një fjalë të gjatë me shumë vlerësim për ish-Presidentin Ibrahim Rugova.
Duke e cilësuar “Atin themelues të shtetit të lirë”, Rama e konsideron “politikanin më atipik shqiptar”.
Fjala e Ramës:
Njeriu që e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë aq dhe të domosdoshme, sintezë e pashoqe e revolucaionarit dhe urtësisë së pushtetasit. Ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë tonë. Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhes romantike. Një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme, një figurë që është tejet e vështirë ta përmbledhësh.
Mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë. I papërsëritshëm, i pashpjegueshëm për mënyrën se si arriti t’ju imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vet. Kur në 24 Maj të vitit 1992, ai u vetëshpall President i Kosovës, pati guximin e gjeniut sepse nuk rrezikoi jetën, por diçka më të rëndësishme. Emrin dhe personalitetin! Ishte një akt donkishotesk në sytë e shumëkujt, për mua një akt vetimtari të De Gol kur i vetëm e i përqeshur lëshoi në radio nga Londra mesazhin epokal: pas resë së lotëve tanë, ja ku shfaqet dielli i madhështisë sonë. Si De Gol, edhe Rugovën disa e tallën, shumëkush e injoroi, pothuajse të gjithë e nënvlerësuan dhe të tjerë e ndoqën me një lloj keqardhje.