Nga: Alfred Peza
Teksa po pinim kafenë para disa ditësh në zyrën e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçit i bie telefoni celular dhe ai pa e zgjatur, u përgjigj menjëherë gjithë qejf: Po, Zoti Kryeministër! Sapo e uli, e pyeta: Bashkimi? Po më tha dhe vijuam bisedën me natyrshmërinë e dy njerëzve, që e dinim se të gjithë, kështu i drejtoheshim gjithmonë njërit prej njerëzve më të dashur të Partisë Socialiste.
Bashkim Finon e kam njohur nga afër në ditët më të vështira për Shqipërinë, në pranverën e vitit 1997, kur ai nuk kishte shumë që kishte hyrë në zyrën e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar dhe unë doja ti bëja një intervistë si Kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”. U miqësuam menjëherë, kur i tregova impresionin e nënës sime, teksa e shihte për herë të parë në ekranin e TVSH.
Nuk ishte e vështirë të kuptoje në atë kohë, se ai kishte qenë impresioni i shumëkujt, për njeriun që erdhi nga Gjirokastra në orët e rënies së shtetit, për ti çarmatosur shqiptarët vetëm me buzëqeshjen e tij. I paqtë, i drejtpërdrejtë dhe hokatar siç ishte, Bashkim Fino nuk të jepte asnjë shans, që ta bëje armik edhe po të doje. Ishte veti e tij e lindur me sa duket, për të patur kiminë e rrallë, që të qetësonte gjakrat tona ballkanike.
E bëri këtë, edhe kur të gjithë kishin marë armët në duar, për të zëvendësuar mungesën e shtetit. Edhe më pas, kur u ringritëm sërisht nga hiri, e iu kthyem jetës sonë normale. Edhe kur PS ishte në mazhorancë. Edhe kur kaloi në opozitë, për tu rikthyer sërisht në pushtet. Edhe tani në ikje, në kulmin e një fushate të pazakontë elektorale në kushtet e pandemisë globale, për zgjedhjet e 25 prillit.
Flamujtë e Shqipërisë janë ulur sot në gjysëm shtizë për nder të tij. Një vendim që është respektuar jo vetëm nga institucionet shtetërore dhe miqtë e tij të panumërt në mazhorancën qeverisëse. Por, edhe Kryetari i Shtetit dhe Kryetari i Opozitës, që po e nderojnë atë si rrallëkënd nga kundërshtarët e tyre politikë.
Edhe më 1997 kur ishte Presidenti i një vendi që e cilësonte atë si shkaktarin e krizës së thellë të firmave mashtruese piramidale, edhe sot në opozitë, Sali Berisha e respektoi Bashkim Finon. Sikundër shumë e shumë opozitarë të tjerë, po e nderojnë si rrallëherë të gjithë njësoj, kujtimin e një politikani atipik për një vend si Shqipëria ku për të qenë i suksesshmë duhet të jesh doemos; o me ne, o kundra nesh!
E ndërsa ngjit shkallët për në katin e tretë të selisë qëndore të PS në Tiranë, përpara se të shkosh diku tjetër, do të dalë përballë shkallëve zyra ku Bashkim Fino mbante gjithmonë derën hapur për ti pritur socialistët dhe miqtë e tij të tjerë të panumërt kudo nëpër Shqipëri e përtej saj.
Skena jonë politike duket edhe më e varfër sot, pa njeriun që i solli asaj, dimensionin e munguar të paqtimit, të pajtimit, të gjetjes së pikave të përbashkëta, të gjetjes së argumentave dhe rrugëve për ti bërë gjërat e mundshme, sëbashku të realizueshme.
Pavarësisht nëse ishte socialist, apo demokrat. I majtë, apo i djathtë. I rreshtuar pro, apo kundër. Kjo kishte pak rëndësi, për njeriun e pajtimit. Sepse më e rëndësishmja për Bashkim Finon, nuk ishte të gjente në çdo gjë sebepin për tu ndarë, por për të zbuluar atje ku ishte fshehur, shkakun për tu bashkuar.
Kjo ishte magjia e jashtëzakonshme e një politikani normal, që historia e thirri në skenë në çastin e vet më anormal, për të na ndriçuar të gjithëve me buzëqeshjen e tij çarmatosëse, rrugën drejt së ardhmes së përbashkët.
Lamtumirë Kryeminisër!