Polonia, shansi i vetëm i Shqipërisë për në finalet e ‘Katar 2022’/ Ja si llogaritet ‘Play-Off-i’ dhe çfarë mund të ndodhë…  

Përballja me polakët është vendimtare, madje merr trajta kualifikuese për “play off” për të dy ekipet. Skuadrës së trajnerit Edi Reja i duhet fitorja me Poloninë për të qenë më të sigurt në mbajtjen e vendit të dytë.

Shqipëria me fitoren e arritur në “Pushkash Arena” i ka rritur kreditet për të siguruar një vend për “play off”-in e Botërorit, “Katar 2022”. Me trepikëshin e marrë në Hungari kuqezinjtë ruajnë vendin e dytë, me katër pikë pas Anglisë, si dhe një më shumë se Polonia e vendit të tretë.

Historia përsëritet në shumë raste dhe për momentin Shqipëria dhe Polonia janë thuajse ashtu siç ndodheshin në maj 1985, ku dy ekipet përballeshin në “Qemal Stafa”.

Fituesi i asaj përballjeje të 30 majit të 1985- ës arriti të siguronte biletën për në Botërorin “Meksikë 1986”. Triumfues dolën polakët që na ndëshkuan me yllin e Juventusit, Zbigniev Boniek, i cili pasi i dha Kupën e Kampioneve torinezëve, një ditë më pas vjen dhe ndëshkon edhe kuqezinjtë.

Kështu që ndeshja e nesërme është edhe një mundësi për Shqipërinë për të marrë hak për atë humbje të para 36 viteve, që na shoi ëndrrat për të shkuar në Botërorin e Meksikës.

Shanset për në fazën “play off” kuqezinjtë i kanë si nga sigurimi i vendit të dytë në grup, por edhe nga ndonjë përkëmbim fatsjellës, ku nga dhjetë kryesueset e grupeve të Ligës së Kombeve, dy arrijnë të shkojnë në ndeshjet shtesë.

Në Botërorin “Katar 2022” do të shkojnë 13 përfaqësuese nga Europa. Në kualifikueset zyrtare, direkt në Botëror kualifikohen të parat e 10 grupeve kualifikuese. Më tej, 10 vendet e dyta bashkohen me dy ekipet më të mira të Ligës së Kombeve dhe 12 skuadra të ndara në 3 grupe, me nga katër ekipe, do të çojnë vetëm 3 ekipe në Katar.

Tre vendet e fundit do të ndahen përmes “play off”-it. Kjo do të përfshijë 10 ekipet e dyta në grupe plus dy fituesit e grupeve të renditura më së miri nga “UEFA Nations League” 2020-’21, të cilët përfundojnë poshtë dy vendeve të para grupet e tyre kualifikuese.

“Play off”-et do të mbahen në mars 2022. Shorti do të hidhet në bazë të pikëve të raundit kualifikues. Dy ekipet e Ligës së Kombeve të UEFA-s nuk do të fshihen në pikëzim. 10 fitueset e grupeve të Ligës së Kombeve për edicionin 2020-2021 janë: Francë, Belgjikë, Itali, Spanjë, Uells, Austri, Çeki, Hungari, Slloveni, Mali i Zi, Shqipëri, Armeni, Gjibraltar, Ishujt Faroe.

Nga këto ekipe, ato që do të fitojnë të drejtën për të plotësuar fazën “play off” do të jenë dy ekipet që i kanë mbyllur eliminatoret poshtë dy vendeve të para në grupet respektive, ku në fund hyn në lojë edhe koeficienti që kanë kombëtaret.

Aktualisht nga Liga e Kombeve janë të favorizuara Austria dhe Uellsi. Për momentin Shqipëria bën pjesë te dhjetë skuadrat e dyta në grupe. Pikët e skuadrave për të përcaktuar 6 të favorizuarat në ndarjen përfundimtare në short llogariten me rezultatet që ato kanë me 5 skuadrat e para. Kur grupi ka 6 ekipe, rezultatet me vendin e fundit nuk merren parasysh.

Në këto kushte, Shqipërisë i hiqen 6 pikët që ka marrë me San Marinon. Gjithsesi, për momentin Shqipëria ndodhet në gjashtëshen e parë të skuadrave favorite, të cilat kur të hidhet shorti i fazës “play off” ndeshjen e parë e luajnë në shtëpi.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *