“Ishulli i fazanit”, i vendosur në tokat kufitare midis Francës dhe Spanjës, shkëmbehet mes këtyre dy shteteve çdo gjashtë muaj. Parregullsi kufitare gjenden në të gjithë Evropën dhe botën, por një ishull që shkëmbehet çdo vit, është jashtëzakonisht i çuditshëm.
Gjatë historisë, ka pasur një sërë emërtimesh të ndryshme për “Ishullin e fazanit”, por emri që mban aktualisht është vendosur gabimisht. “Nuk ka fazanë në Ishullin e fazanëve”, u ankua romancieri francez Viktor Hygo kur e vizitoi atë në vitin 1843. Në fakt, në ishull ka vetëm disa shpendë të ngjashëm me fazanët dhe zogj të tjerë shtegtarë.
Ishulli u bë i njohur në vitin 1648, kur iu dha fund luftës 30-vjeçare midis Francës dhe Spanjës, dhe u zgjodh si një hapësirë neutrale për të demarkuar territoret e reja kufitare. Në fakt, u zhvilluan 24 samite dhe në vitin 1659 u arrit marrëveshja e paqes në “Traktatin e Pirenejve”.
Për të nderuar këtë rast, u organizua një martesë mbretërore dhe në vitin 1660, mbreti francez Luigji XIV u martua me vajzën e mbretit Filip IV, Maria Theresa të Spanjës, në ishullin e shpallur neutral. Vendi nisi të shihej si një metaforë e paqes dhe u vendos që Spanja dhe Franca të kishin kujdestarinë e përbashkët të territorit. Spanja do të mbante kujdestarinë nga 1 shkurti deri më 31 korrik të çdo viti, ndërsa gjashtë muajt e tjerë, Franca.
Çdo 6 muaj, të dyja shtetet përkujdesen për mirëmbajtjen e ishullit, diskutojnë për të drejtat e peshkimit dhe monitorimin e cilësisë së ujit etj. Vizitorët hyjnë në ishull ose në një nga ditët e dorëzimit, kur realizohen aktivitete të shumta, ose gjatë pelegrinazheve të ndryshme.