Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm mblodhi kryesinë e Partisë Socialiste. Zyrtarizoi kthimin e Blendi Gonxhes në Tiranë dhe dërgimin si përforcues të Pirro Vengut në Vlorë në krah të Bledi Çuçit. Gjithashtu u zyrtarizua emri i Bledi Klosit si drejtues politik i qarkut të Dibrës.
Në pjesën e dytë të mbledhjes, Edi Rama kërkoi krijimin e një database për të gjithë emigrantët në funksion të zgjedhjeve të 2025. Në fund, në dalje nga selia e PS-së, Rama nuk pranoi që të fliste për mediat. “Anëtarësohuni në PS” ishte fraza e vetme.
Presidenti Bajram Begaj pak ditë më parë dekretoi datën 11 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa partitë politike kanë nisur përgatitjet dhe organizimet e strukturave.