Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar porosinë e kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e misterit të zhdukjes së Ervis Martinajt.
Gjatë fjalës së tij në takimin me ekspertë dhe gazetarë, Berisha tha se për Martinajn, Rama nuk duhet të porosisë Rrumbullakun, por duhet të pyesë të vëllanë, Olsi Rama. Sipas Berishës, fati i Martinajt ‘fshihet’ pas lëvizjeve të bëra në lidhje me rikthimin e basteve.
“Sot Edi Rama porosiste Muhamet Rrumbullakun, i dha porosi të veçantë për Ervis Martinajn, ja tregoj unë se ku është, është tek lojërat e fatit, shko pyet Olsin. Njerëzit e kanë të qartë si drita e diellit. Ai ishte njëshi i lojërave të fatit, i vëllai është hija e tyre. Sa ishte ai, ishin ilegale, sa iku ai, se ç’ndodhi me të, ju thashë dhe njehrë, pyet lojërat e fatit dhe jo Rrumbullakun. Tani u bënë të ligjshme lojërat e fatit. Situatë dëshpëruese në pamje të parë, unë jam optimist, pavarësisht nga shkalla e dëmtimit të Policisë së Shtetit nga rekrutimi i banditëve dhe trafikantëve, e të droguarve. Përsëri ka qindra, mijëra, burra e gra me uniformë që presin me padurim tu krijohet mundësia për të zbatuar ligjin”, tha Berisha.