Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i kërkon qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe sa i përket projektit të marinës në Portin e Durrësit.
BE thekson se siç parashikon marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, qeveria shqiptare duhet t’u japë mundësinë e garës kompanive nga vendet evropiane.
“Për sa i përket rizhvillimit të Portit të Durrësit, BE-ja ka nënvizuar vazhdimisht nevojën për qartësi dhe transparencë për marrëveshjen tregtare të lidhur mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit, kompanitë nga vendet e BE-së duhet të kenë mundësi të konkurrojnë mbi baza të drejta dhe të barabarta për kontratat publike”, thuhet në reagimin e delegacionit evropian për gazetën “Panorama”.
Ndërkohë paralajmërojnë se po ndjekin me vëmendje të gjitha zhvillimet që lidhen me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe integrimit në BE dhe se më pas do të raportohen në Parlamentit Europian dhe në institucionet Shqiptare.
“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e rëndësishme për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit dhe për procesin e anëtarësimit në BE, përfshirë në raportin vjetor të Komisionit, si dhe do t’i trajtojë ato me institucionet shqiptare në forumet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së BE.
Sakaq, delegacioni i Bashkimit Evropian nuk ka informacion as për planet e qeverisë për aktivitetin e portit të ri. “Për sa u përket planeve të shpallura për zhvendosjen e aktiviteteve të Portit të Durrësit, presim të marrim detaje të mëtejshme nga qeveria”, thuhet në përgjigjen e tyre. Reagimi vjen pas një kërkese nga kreu i opozitës, Sali Berisha. Berisha tha se Bashkimi Europian i njeh këtij porti një rol strategjik dhe të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. Për këtë arsye, Berisha tha se Brukseli duhet të hetojë mega-aferën e Ramës, që synon zhdukjen e këtij porti.
“I bëj thirrje BE-së për të ndaluar këtë aferë korruptive dhe të nisë një hetim rreth aferës korruptive të portit të Durrësit dhe të bëjë gjithçka që ky port të mbetet, port strategjik kryesor i Shqipërisë, i rajonit dhe BE-së në rajon”./panorama