Porti i Durrësit/ Klientët blejnë “ajrin”, shiten apartamentet e para pa dalë leja e ndërtimit dhe pa nisur puna

Pa dalë leja e ndërtimit dhe kur asnjë metër kub beton nuk është hedhur ende për nisjen e ndërtimit për projektin e Portit të Jahteve dhe Marinës në Durrës, qytetarët kanë nisur të blejnë ‘ajrin’.

Vetëm pak ditë pas miratimit me urgjencë në parlament nga maxhoranca të projektit të portit të Durrësit, i cili u bë kryefjalë e debatit politik e akuzave të shumta të opozitës drejtuar kryeministrit Edi Rama për korrupsion në zyrën qendrore në qytetin e Durrësit ka nisur shitja e apartamenteve.

Ndërkohë që presim që të hidhen para për këtë projekt të ri duket se paratë po merren nga xhepat e shqiptarëve. Të interesuarit kanë nisur prenotimin e banesave, çmimet e të cilave janë marramendëse të ngjashme me ato të zonave më të kërkuara në Tiranë.

1800 deri në 3 mijë euro për metër katrorë variojnë çmimet e banesave ende të pandërtuara në këtë zonë, ku vlera e një apartamenti 60 metra katrore shkon deri në 110 mije euro, ndërsa për apartamentet më të mëdha kapin vlerën deri në 1.2 milionë euro. Sipas drejtuesve të zyrës së shitjeve, apartamentet e dy objekteve të projektit të cilësuar më korruptivi në Europë, janë shitur plotësisht nga blerës kryesisht të huaj.

“Për sa i përket pjesës së çmimeve është e vërtetë, për momentin fillon nga 110 mijë euro deri në çmime më të larta.110 apartamentet e para është hapur sot në 8 të mëngjesit dhe janë sot drejt përfundimit. Po shohim një boom kërkesash nga shtetas të huaj”, deklaron agjenti i shitjeve.

Të huajt mesa duket kanë më shumë lehtësi të blejnë këto apartamente në Marina Port ndryshe nga shqiptarët për të cilët realiteti është shumë ndryshe. Ata thonë se e kanë të pamundur të paguajnë kaq shumë për apartamente ndaj dhe nuk kanë shprehur interes për blerjen e tyre.

“Për rrogat që janë në Shqipëri çmime të shtrenjta duhet të punojmë shumë vite si familje për të blerë një apartament. Dëshira është e madhe, por duhet të rrimë me këmbë në tokë, por është e pamundur”, shprehen qytetarët.

Leja për projektin e cilësuar si afera korruptive më e madhe e 30 viteve të fundit parashikohet të merret brenda 3 muajve të ardhshme dhe më pas do të nisin punimet.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *