Porti i ri i Durrësit/ Komisioneri Varhelyi i përgjigjet Alibeajt: Koncesionet të ngrihen mbi parimet e garës e transparencës

Komisioneri Várhelyi i përgjigjet me një letër deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në lidhje me Portin e Durrësit dhe Durrës Marina Bay and Yacht që do të ndërtohet nga kompania “Symphonie real” me një vlerë prej 2 mld euro. Komisioneri i Zgjerimit, Várhelyi, ka pohuar shqetësimin që Komisioni Europian ka në lidhje me zbatimin e MSA dhe standarteve të Bashkimit Europian.

“Komisioni Evropian i kushton rëndësi të madhe përputhshmërisë me MSA-në dhe standardeve të BE-së. Kur bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare me vendet e treta, qëndrimi i Bashkimi Evropian është i qartë dhe ai është thënë vazhdimisht, duke përfshirë edhe Këshillin e Stabilizim Asociimit që u zhvillua në Mars 2021.

Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimeve publike dhe koncesioneve, duke përfshirë edhe marrëveshjet e lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit. Komisioni është në konsultime të vazhdueshme me përfaqësuesit e qeverisë për prioritetet e investimeve. Sigurisht që ne i kemi ndjekur nga afër zhvillimet në lidhje me Projekti i Portit të Durrësit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, aktivitetet e Portit të Durrësit janë planifikuar të zhvendosen në Porto Romano. Si rezultat i modifikimit në projekt dhe ndryshimi të përdorimit të Portit të Durrësit, Komisioni anuloi grantin e mbetur për investimin në këtë projekt specifik.

Komisioni është i gatshëm të mbështesë dhe të akomodojë projekte të mëtejshme investimi në lidhje me projektin e ri komercial të zhvillimit të Porto Romanos nëse kërkohet. Është objektivi ynë i përbashkët për të mbështesin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”

 

Alibeaj iu drejtua me një letër të hapur komisionierit të zgjerimit Várhelyi në lidhje me mungesën e garës për ndërtimin e të ashtuquajturës “Durrës Marina Yacht Project”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *