Në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, kryeministri Rama është shprehur se ky port ndikon deri në 3% të prodhimit të përgjithshëm tregtar të vendit. Gjithashtu edhe në sigurinë tonë, pasi sipas tij do të ketë dhe anën ushtarake, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimalë.
“Largimi i Portit të Durrësit nga qendra dhe vendosja e tij këtu, krejtësisht me një tipologji me përmasa të reja, hapja e një kapitulli të ri në historinë e ekonomisë dhe sigurisë kombëtare. Ky projekt ka një garanci shumë të madhe, ka garancinë e një prej kompanive më të shkëlqyera që ka bota.
Një port ndikon deri në 3% prodhimin e përgjithshëm kombëtar të vendit, ky që kemi dhe që është një turp i madh, e ka impaktin qesharak. Ky do të jetë një port që do të impaktojë dhe sigurinë tonë.
Do të ketë dhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake, jo thjesht të re në numër, por një bazë ushtarake me parametra optimalë. Ky port është një port i ri në Evropë pas shumë dekadash.
Ne kemi fatin që duke qenë në fund të kësaj kolone të gjatë, të marrim dhe përfitimin e një dije që është krijuar në vite dhe në aspektin mjedisor dhe në atë të gjelbër të kemi një port që do të jetë një shembull ekselence.
Rëndësia e madhe strategjike e këtij porti për Shqipërinë 2030 sepse ky port i jep Shqipërisë një fuqi në rajon, e bën një pikë kyçe për tregtinë dhe për sigurinë e të gjithë rajonit” tha ai.