Portofol gjigand kredie dhe financime me burime të dyshimta/ A ka lidhje “Besa” me fonde nga Rusia?

“Fondi Besa” një prej institucioneve më kryesore të mikrofinancave në Shqipëri, prej rreth 20 vitesh ushtron aktivitetin e tij financiar në vend. Sot ky fondacion me të drejtë e konsideron veten e tij “lider” në fushën e mikrofinancave, kjo për shkak të numrit të lartë të mikrokredive që ka shpërndarë në të gjithë vendin, degëve të hapura, apo dhe volumit financiar të portofolit të kreditimit.

Ky total është aq i madh sa “Fondi Besa” përngjason më shumë me një bankë të nivelit të dytë, se sa me një institucion modest mikrofinancash.

Por në 10-vjeçarin e dytë të aktivitetit të këtij institucioni, tashmë të konsideruar si një IFJB, janë paraqitur problematika të shumta, që kanë nisur që nga skandalet me abuzime dhe vjedhje nga vet ish-punonjësit e stafit, deri tek abuzimet me kreditë e dhëna tek klientët.

“Priza.al” është marrë gjerësisht me pretendimet e mjaftë klientëve të “Fondit Besa”, të cilët për faj të tyre ose jo janë ngatërruar në sistemin e kredidhënies pa e pasur idenë se një institucion IFJB-ja si “Besa” në fund të fundit operon në tregun financiar për të fituar.

Ne sot nuk duam që të bëjmë avokatinë e “Fondit Besa”, por as të tradhtojmë lexuesit tanë dhe viktimat e shumta që kanë ardhur të dëshmojnë për ne andrallat me këtë institucion. Por sot do të jemi të kujdesshëm dhe të zhveshur nga emocionet, në lidhje me faktet që do të prezantojmë, duke ju referuar vetëm të dhënave që janë publikuar ndër vite prej vetë “Fondit Besa” dhe nga analizat e bëra më parë nga mediat e ndryshme.

Në pasqyrat financiare të bëra publike kohë më parë dhe të deklaruara nga “Fondi Besa”, shuma e kredive apo siç konsiderohet “Portofoli i Kreditimit” kap vlerën e mbi 470 milionë eurove, kjo deri në vitin 2019 (tani jemi në 2021-in).

Por kjo nuk është asgjë. Presidenti i “Fondit Besa”, Prof. Asoc. Dr. Bajram Muçaj, është njëkohësisht drejtori ekzekutiv por dhe aksioneri më i madh i Fondit me mbi 12% të aksioneve (nga sa thuhet edhe në faqen web të fondit), pra defakto pronar i padiskutueshëm.

“Fondi Besa” fillimisht u krijua si një OJF me emrin “Fondacioni Besa” por që në atë kohë një prej themeluesve ishte Bajram Muça. Në vitin 2008 ai u shndërrua në “Fondin Besa”, duke u kthyer në një institucion mikrofinancimi sipas projektit të shumë simotrave në vende të Europës Lindore (ku bankat agrare të komunizmit u kthyen në institucione mikrofinanciare bujqësore). Kështu në vitin 2008 “Fondi Besa” u bë nga një “OJF” një “SH.A”, prej ku Bajram Muçaj zotëron mbi 12% të aksioneve, në një kohë që një pjesë të mirë e kanë familjarë ose miq të tij.

Si janë “rregulluar” aksionet e “Fondit Besa”

Për të shqyrtuar vetëm fakte reale dhe të publikuara zyrtarisht nga vet “Fondi Besa” në vite, po japim sot një pasqyrë të të gjithë aktivitetit të tij real dhe atij që lejon hapësira dyshimi.

Sot që jemi në vitin 2021, “Fondi Besa” është një shoqëri tregtare fitimprurëse dhe zyrtarisht me bord aksionerësh (kështu deklarohet edhe në dokumentet e Fondit). Nga këto 75% të aksioneve i takojnë një “OJF”-ja por fitimprurëse e quajtur “ABC” (Albanian Besa Capital).

Kështu duket se janë “rregulluar” letrat nga “Besa” për të qenë në rregull me shtetin, ku Bajram Muçaj ka vetëm 12%, ndërsa 75% i takojnë një “OJF”-je, në një kohë që pjesën tjetër e kanë rreth 40 individë të tjerë (të familjarë, të afërm ose miq të Bajram Muçajt), që kanë nga 0.2- 0.3%.

Shumicën e aksioneve të kësaj SH.A.-je, pra rreth 75.37% i zotëron “OJF”-ja e njohur si “ABC”. Pra një “OJF” zotëron më tepër se 75% të aksioneve, mbi një kompani tregtare fitimprurëse, në një kohë që me ligj kjo “OJF” nuk duhet të ekzistonte më pasi “OJF” do të thotë “organizatë jo fitimprurëse”. Sekreti është që drejtori ekzekutiv pra pronari i “OJF”-së “ABC”-ë, është po Bajram Muçaj që është edhe drejtor ekzekutiv i “Fondit Besa”.

Kur “Fondi Besa” ndryshoi emrin nga “Fondacioni Besa” dhe me ligjin e ri u kthye zyrtarisht në një IFJB-ë më 11 korrik 2008, pak kohë më pas, pra në 19 shtator të atij viti, u krijua edhe “ABC”-ja. Pra “Fondi Besa” lindi nga “Fondacioni Besa” (organizatë jo fitimprurëse). Por kjo nuk është e vetmja gjë e çuditshme. Edhe më i çuditshëm është fakti se nga burojnë financimet e këtij “Fondi”, kush janë aksionerët dhe bordi i huaj i tyre, dhe se sa transparente janë të gjitha këto.

Aksionerët e huaj të “Fondit Besa”

“Fondi Besa” siç prezantohet edhe zyrtarisht në web-sitin e tij, ka një bord aksionerësh të huaj, që sipas informacioneve, janë ata që edhe sigurojnë financimet nga një rrjet i gjerë fondesh të fondacioneve të mikrokredisë, të shpërndarë nëpër shumë shtete të Europës Lindore.

2

(Piotr Korynski dhe Georgi Breskovski, dy prej aksioneerëve të huaj dhe anëtarë bordi të Fondit Besa)

Piotr Korynski dhe Georgi Breskovski, janë dy prej anëtarëve të Bordit Drejtues të “Fondit Besa”, që të dy të huaj njëri nga Çekia por me origjinë ruse dhe tjetri nga Bullgaria, që të dy pjestarë të institucioneve të rëndësishme financiare dhe me eksperienca ndërkombëtare.

Por në një kohë që Georgi Breskovski, në jetëshkrimin e tij ka të prezantuar institucionin financiar ku bën pjesë aktualisht në Bullgari, ai prezanton dhe arsimimin të cilin e ka përfunduar në Gjermani, në universitetin agrar të Bremenit.

Për disa prej aksionerëve të huaj të “Fondit Besa” agjencia investigative rajonale, “Insaideri.com”, ka hedhur hije dyshimi për origjinën e tyre dhe arsimimin që në kohë e Gjermanisë Lindore, duke lënë të dyshosh se ata janë formuar në Drezden dhe Bremen, dy prej pikave nevralgjike të agjenturës ruse dhe gjermanolindore të STASI-t.

Por për të mos aluduar mbi lidhje të dyshimta të këtyre personazheve, në fakt më të mistershëm e bën vetë “Fondi Besa” çështjen e tyre, pasi nuk bënë transparente as formimin e tyre dhe as lidhjet me këtë IFJB në Shqipëri.

Ndërkohë, më herët disa media elektronike në Shqipëri, por edhe të rajonit ngritën disa akuza mbi bazën edhe të disa investigimeve, sipas të cilave aksionerët e huaj të “Fondit” ishin pika lidhëse midis tij dhe injektimit në të, të parave me origjinë nga financimet ruse në rajon.

Si prezantohet zyrtarisht “Fondi Besa”

Në faqen zyrtare të internetit, “Fondi Besa” e përshkruan veten si institucion financiar jobankar (IFJB), “lider në fushën e mikrokredisë”, me shtrirje në të gjithë Shqipërinë, me mbi 32 mijë klientë në total dhe një portofol kredie prej 11.44 miliardë lekësh për vitin 2018.

Rrënjët e këtij fondi janë që prej vitit 1992, si një projekt i Bankës Botërore për të nxitur kulturën e sipërmarrjes në ekonominë shqiptare, që sapo kishte dalë nga sistemi komunist në atë kapitalist. Nisma e BB, themeloi “Fondin e Zhvillimit Shqiptar”, ku barra më e madhe e të ardhurave të këtij fondi i lihej Qeverisë shqiptare.

Brenda këtij Fondi funksiononte Departamenti i Mikrokredisë Urbane, që shërbente për ofrimin e kreditimit për sipërmarrësit e rinj që të ngrinin, ose zgjeronin biznesin e tyre. Për shkak të vështirësive të kohës në mbledhjen e kredive në zonat rurale, kreditimi ishte kufizuar vetëm në qytetet e mëdha të vendit.

Në prill të vitit 1999, me anë të V.K.M-së 207, Qeveria shqiptare vendos shndërrimin e këtij departamenti në një fondacion joqeveritar, jopolitik dhe mbi të gjithë jofitimprurës me emrin “Besa”.

Themelues i këtij fondacioni ishte “Fondacioni Soros” me donacionin fillestar prej 1 milion dollarësh amerikanë dhe Qeveria shqiptare.

Si nisi të vihej pasuria e “Fondit Besa”

Statusi si fondacion jofitimprurës nuk e pengoi “Besën” që të vazhdonte dhënien e kredive me norma të majme interesi, që në atë kohë shkonin nga 11- 16%, por përkundrazi e ndihmoi që t’u shmangej detyrimeve tatimore të asaj kohe.

Ndërkohë, normat e larta të interesit nuk ishin pengesë që fondacioni të zgjerohej dita-ditës, në një terren ku thuajse mungonte sistemi bankar dhe ku klientët prireshin më fort tek kreditë e vogla, pa burokracitë e një banke.

Në 2008, Fondacioni ndryshon status. Nga një OJF transformohet në shoqëri aksionare me emrin “Fondi Besa” dhe licencohet nga Banka e Shqipërisë, si institucion financiar jobankar. Një vit më vonë, pra në vitin 2009, ndodh transferimi i aseteve të “Fondit Besa” tashmë tek shoqëria e re aksionare që kishte lindur.

Fondi ka pasur historikisht si administrator Bajram Muçajn, ndërkohë që aktualisht ka rreth 50 aksionerë.

Pjesa më e madhe e tyre kanë më pak se 1% të aksioneve. Kryeaksioneri është Fondacioni “Albanian Besa Capital” (ABC) me 65% të aksioneve. Faqja zyrtare e internetit (ëëë.abcfoundation.info) nuk funksionon, ndërkohë që postimin e fundit në rrjetet sociale e ka që në vitin 2015.

Në përshkrimin që bëhet në këto profile të këtij fondacioni thuhet se: “fondacioni është një organizatë jofitimprurëse, pa anëtarësi, i pavarur, joqeveritar, jopolitik, i themeluar me dëshirën e mirë nga themeluesit e tij, që nuk kanë asnjë qëllim përfitimi dhe se fondacioni është i hapur për të gjithë personat që duan të arrijnë objektivat e tyre, për t’u përmirësuar në biznes, mikrofinancë dhe të tjera fusha të sipërmarrjes”.

Përgjatë gjithë historisë së veprimtarisë së tij, fillimisht fondacioni dhe më pas “Fondi Besa”, janë vlerësuar me çmime të ndryshme performance, nga institucionet vendase dhe të huaja. Në vitin 2007, një vit para se të transformohej në shoqëri aksionare, “Fondacioni Besa” renditet i 43-ti në listën e 50 fondacioneve mikrofinanciare me performancën më të mirë nga revista “Forbes”.

“Fondi Besa” sipas shkresave

Klientët më të mëdhenj të “Fondit Besa”, sipas shifrave që vetë fondacioni publikon në faqen e vet zyrtare, janë investitorë në fushën e shërbimeve, ndjekur nga sektori i tregtisë dhe më radhë bujqësia, kredia konsumatore dhe sektorë të tjerë.

Shifrat e bëjnë këtë institucion mikrofinanciar, një institucion teorikisht të qëndrueshëm në tregun e kredidhënies, por edhe të besueshëm nga bankat, të cilave herë pas herë u drejtohet për të marrë vetë si fond kredi, që më pas i shpërndan në kredi më të vogla me norma interesi më të larta.

Kredinë e fundit e njofton në mars të vitit 2019, ku ka marrë 10 milionë euro nga Banka e Detit të Zi, për një afat 3-vjeçar. Huaja është e treta që “Fondi Besa” ka marrë prej kësaj banke, pas dy kredive të marra në vitet 2014 dhe 2016, duke e çuar në total shifrën në 21 milionë euro.

“Huaja 3-vjeçare do të kontribuojë në zhvillimin institucional të Fondit BESA duke rezultuar në rritjen e mëtejshme të biznesit dhe përmirësimin e likuiditetit dhe shërbimin e klientëve. Nga ana tjetër, kjo do të promovojë krijimin e vendeve të punës dhe gjenerimin e të ardhurave me një ndikim pozitiv në zbutjen e varfërisë në Shqipëri”,- thuhet në deklaratën zyrtare të “Fondit”.

Ky i fundit thotë se ka dhënë rreth 208 mijë kredi në të gjithë historikun e vet (deri në vitin 2019), për një shumë totale prej rreth 72 miliardë lekësh, por kujtojmë se në dy vitet e fundit portofoli financiar i “Fondit” është rritur në mënyrë të pashpjegueshme dhe shifrat për këtë mungojnë.

Vijon….

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *