Policia portugeze njoftoi të martën sekuestrimin e 4.2 tonë kokainë të fshehur brenda një ngarkese banane, që vlerësohet të jetë më shumë se 100 milionë dollarë.
Ajo shënon një nga kapjet më të mëdha të drogës në vend në vitet e fundit. Megjithëse nuk është bërë asnjë arrestim, Koordinatori i Policisë Vitor Ananias tha se sekuestrimi nënkupton një “goditje të rëndë financiare” për organizatën kriminale të përfshirë.
Ananias tha se banda e dyshuar është “e njohur për autoritetet”. Ngarkesa e madhe e kokainës së pastër u zbulua e fshehur mes gjashtë paletave me banane që kishin mbërritur në portin Setubal nga Kolumbia.
Sekuestrimi erdhi si rezultat i “mbledhjes intensive të informacionit” nga policia portugeze në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Kapja më e madhe e drogës në Portugali këtë vit vjen pas kapjes së kokainës në vlerë prej më shumë se 400 milionë dollarësh nga autoritetet italiane javën e kaluar, një nga konfiskimet më të mëdha të vendit në dekada.
Në Spanjë, policia çmontoi gjithashtu laboratorin më të madh të kokainës në Evropë muajin e kaluar, pasi punoi së bashku me autoritetet nga Portugalia dhe Kolumbia.