Dy shtetas që numëronin me mijëra ndjekës në TikTok në Nigeri janë dënuar me kamxhik dhe janë detyruar të pastrojnë gjykatën pasi përdorën mediat sociale për të tallur një zyrtar qeveritar.
Mubarak Isa Muhammed dhe Muhammed Bula u shpallën fajtorë për shpifjen ndaj Abdullahi Ganduje, guvernatorit të shtetit verior të Kano. Avokati i dyshes tha se ata nuk do ta kundërshtonin vendimin.
Nigeria ka parë një numër në rritje të yjeve të mediave sociale që përdorin komedinë për të komentuar mbi çështje sociale dhe politike.
Mubarak Isa Muhammad dhe Muhammad Bala u arrestuan javën e kaluar pasi postuan videon e tyre, në të cilën ata talleshin me guvernatorin për rrëmbim toke, korrupsion dhe gjumë në punë, në TikTok dhe Facebook.
Avokati i prokurorisë Wada Ahmed Wada tha se burrat kishin shpifur për guvernatorin dhe se veprimi i tyre ishte në gjendje të prishte paqen publike.
Ata u deklaruan fajtorë dhe kërkuan lehtësim, por gjykatësi urdhëroi që t’u jepeshin 20 goditje me kamxhik, të paguanin një gjobë prej 20 £ dhe të pastronin ambientet e gjykatës për 30 ditë. Ata gjithashtu u urdhëruan t’i kërkonin falje publike Ganduje në mediat sociale.
Avokati i tyre, Bashir Yusuf, tha se ata nuk do ta kundërshtonin vendimin, duke qenë se ai ishte një dënim “jo me burgim”, që do të thotë se të dënuarit nuk do të burgosen.
Nigeria ka parë një rritje të shpejtë të përdoruesve të TikTok viteve të fundit, veçanërisht në mesin e të rinjve. Këta përdorues ndonjëherë tallen me figura publike, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, duke prerë imazhe ose video, shpesh për të krijuar komedi që tërheqin ndjekës masivë në llogaritë e tyre.
Shteti Kano, një pjesë me shumicë myslimane në Nigerinë veriore, është ndër një duzinë shtetesh në rajon që praktikojnë sistemin ligjor të Sheriatit së bashku me ligjet laike të vendit. Vetëm muslimanët mund të gjykohen në gjykatat e Sheriatit.