Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar se edhe në vitin 2021 me koncesionet e shëndetësisë ka vijuar problematika e pagesës së shërbimeve të pakryera apo faturave jo të unifikuara në rastet e ndërhyrjeve të ngjashme.
Një auditim në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka nxjerrë në pah se koncesioni i hemodializës dhe ai i seteve kirurgjikalë kanë shfaqur mospërputhje për të cilat është kërkuar vëmendje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas vlerësimeve të KLSH-së për hemodializën janë paguar për shërbime të pakryer rreth 70 milionë lekë, ndërsa nga mos unifikimi i faturave, dëmi i vlerësuar për koncesionin e sterilizimit është rreth 168 milionë lekë. Në total kosto vlerësohet në 238 milionë lekë, ose 2 milionë euro.
Hemodializa
Kështu lidhur me kontratën e konceisonit të hemodializës KLSH nënvizon se janë paguar shërbime të pakryera duke rezultuar kështu me efekt financiar negativ që shkon në dhjetëra milionë lekë.
“Kontrata koncensionare me nr.1503/44 prot., date 10.02.2016 “Për ofrimin e hemiodializës” me shoqërinë “D..” SHPK mundëson ofrimin e shërbimit të dializës në 5 rajone, me numër të projektuar të pacientëve për 156 seanca në vit (13 seanca në muaj) dhe 11,203 lekë çmimi për seancë hemodialize.
Nga auditimi ka rezultuar se nuk është realizuar numri i seancave të dializës sipas projeksionit mujor kryesisht në qendrat e dializës Shkodër e Vlorë, dhe për disa muaj në qendrën e dializës Lezhë, për arsye të numrit më të ulët të pacientëve se sa projeksioni. Kjo ka sjellë si pasojë efekt financiar nga faturimet për shërbime të pakryera për seancat e dializës në vlerën 69,996,344 lekë.
Nga të dhënat e vendosura në dispozicionkonstatohet gjithashtu se për 5 qendrat e hemodializës janë kryer 1,447 seanca dialize të faturuara mbi projeksionin e përcaktuar në kontratën koncesionare për ofrimin e shërbimit me efekt financiar për faturime për shërbime mbi projeksion me një çmim prej 11,203 lekësh llogaritet në shumën 16,210,741 lekë” thuhet në auditimin e KLSH.
Sterilizimi
I njëjti ndalet edhe tek një tjetër koncesion i shëndetësisë dhe që ka të bëjë me setet kirurgjikalë. Audituesit kanë konstatuar se ka ndryshim nga viti në vit të instrumenteve të setit për të njëjtën ndërhyrje ndërkohë që ka klasifikime që bien ndesh sa i takon kompleksitetit të tyre duke mos ruajtur të njëjtin standard. Për rrjedhojë edhe faturimi për të njëjtën ndërhyrje ndryshon në raste të ndryshme.
“Nga auditimi mbi zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin, rezultoi se: – Nuk ekziston një protokoll i saktë dhe i plotë i ndërhyrjeve/seteve, numri i seteve në aneks kontratë dhe faktit sipas diagnozave të aplikuara, pasi ka një numër shumë më të madh diagnozash/ndërhyje në krahasim me numrin e seteve të përdorura. Në skedarët për përdorimin e seteve administruar nga DSHSU, janë përshkruar dy rubrika ku në njërën shënohet diagnoza dhe në tjetrën lloji ndërhyrjes.
Është ndryshuar numri i instrumenteve në mënyrë të pa argumentuar për disa prej seteve nga viti në vit për të njëjtën diagnozë/ndërhyrje kirurgjikale.
Konfigurimi i seteve dhe ndryshimi i kompleksiteteve ka sjellë vështirësi në monitorimin e kontratës” vlerëson auditimi.
I njëjti sjell në vëmendje se ka disa raste që për të njëjtat ndërhyrje/sete janë aplikuar 2 dhe/ose 3 nivele të ndryshme kompleksiteti, me pasoja në financimin e kontratës për tavanin buxhetor përkatës dhe kufizimin e ndërhyrjeve për pacientet.
“Gjithashtu nga përpunimi i të dhënave të administruara për vitin 2021 konstatohet se për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, të realizuar në të njëjtin spital apo spital tjetër, faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme, dhe për pasojë çmime të ndryshme. Kjo mënyrë aplikimi e nivelit të kompleksitetit gjatë zbatimit të kontratës, shkakton pasoja financiare shtesë, krahasuar me efektin e përdorimit të kompleksitetit më të ulët të mundshëm, e lidhur kjo me çmimin përkatës. Në këtë kuadër, kanë rezultuar 21,174 raste, në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i mesëm dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë, si dhe janë 4,725 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet të lartë, megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje kirurgjikale është faturuar si kompleksitet i mesëm.
Në se për këto ndërhyrje do të përdorej kompleksiteti i mesëm, do të ulej financimi i kësaj kontrate për 87,318,000 lekë me TVSH. Gjithashtu, në total paraqiten 16,710 raste në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i ulët dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë apo kompleksitet i mesëm.
Nga auditimi konstatohet se janë 5,924 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i lartë dhe 8,057 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i mesëm megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje është faturuar si kompleksitet i ulët. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej niveli i ulët i kompleksitetit, financimi kësaj kontrate do të ulej me vlerën 81,214,560 lekë me TVSH” argumentojnë audituesit e KLSH./monitor