Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, tha sot se projektligji i nxjerrë për konsultim publik “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” synon përcaktimin e rregullave të qarta sa i takon shëndetit seksual dhe riprodhues.
Koçiu sqaron se ky projektligj është hartuar duke iu referuar praktikave më të mira kombëtare e ndërkombëtare në lidhje me organizimin, funksionimin dhe monitorimin e veprimtarive që zhvillohen në këtë fushë.
Ministrja Koçiu, përmes një postimi në rrjetin social “X”, nënvizon se pr/ligji, do të reflektojë dhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime, deri në rrugëtimin e tij në Parlament.
“Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” vjen në mënyrë organike paralelisht me një sërë politikash shëndetësore e sociale që kanë impakt në përmirësimin e shëndetit seksual, sidomos për të rinjtë e adoleshentët, por edhe atij riprodhues, me synim përcaktimin e rregullave të qarta, sipas praktikave më të mira kombëtare e ndërkombëtare në lidhje me organizimin, funksionimin dhe monitorimin e veprimtarive që zhvillohen në këtë fushë”, shkruan Koçiu.
“Prej disa ditësh ky pr/ligj i është nënshtruar konsultimit publik në regjistrin elektronik të konsultimit publik, procedurë kjo që ndihmon në përthithjen dhe reflektimin e mëtejshëm të opinioneve të grupeve të interesit, profesionistëve të shëndetësisë, organizatave jofitimprurëse, atyre të shoqërisë civile, të cilat janë të angazhuara në çështje të shëndetit seksual dhe riprodhues, të të drejtave të të rinjve dhe adoleshentëve, grave etj”, vijoi ministrja Koçiu.
“Pas përfundimit të këtij procesi, pr/ligji do të reflektojë edhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime, deri në rrugëtimin e tij në Parlament”, përfundoi Koçiu.