Pranuan ryshfet dhe më pas i thyen dhëmbët qytetarit, SHÇBA merr vendimin për 3 policët

SHÇBA pezulloi 3 inspektorë të policisë së qarkut të Korçës pas denoncimit të bërë nga qytetari Ilirjan Dojçe në emisionin investigativ “STOP” për ushtrim dhune ndaj tij.

Tre punonjësit e policisë akuzohen se kanë marrë ryshfet nga Dojçe, i cili drejtonte makinën në gjendje të dehur dhe pas orës 23:00, ku ndalohet qarkullimi i njerëzve. Pas ngjarjes, ai e denoncoi rastin në emisionin investigativ “STOP”.

Ilirjan Dojçe tregoi se ai u dha policëve 20 mijë lekë ryshfet për të mos u gjobitur. Më vonë, patrulla me 3 policët i doli sërish para dhe e dhunoi duke i thyer dhëmbët.

NJOFTIMI I POLICISË

SHÇBA Korçë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në ngarkim të 3 punonjësve të policisë:
• Inspektor B. P., 49 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec;
• Inspektor K.B., 21 vjeç, me detyre Trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec;
• Inspektor E.O., 24 vjeç, me detyre Trupë Shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Pogradec.
Veprimet hetimore janë kryer nga Drejtoria Rajonale e SHÇBA Korçë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, në kuadër të procedimit penal të vitit 2021, regjistruar pas kallëzimit të shtetasit I.D. dhe denoncimit të emisionit “Stop” në TV Klan.
Punonjësit e mësipërm të policisë dyshohet se kundrejt një shume parash janë përfshirë në veprime korruptive, me qëllim favorizimin e shtetasit I.D., duke mos e ndëshkuar atë për shkelje të kufizimeve të lëvizjes pas fashës kufizuese, drejtim të automjetit në gjendje të dehur, si dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Hetimet në lidhje me këtë proçedim po vazhdojnë për kryerjen e veprave penale “Kryerja e veprimeve arbitare” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 250 dhe 259 të Kodit Penal.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *