Kur dukej sikur pranvera erdhi me të gjithë intensitetin e saj dhe ditët me diell i zunë vendin atyre me temperatura të ulëta, shi dhe borë, duket se këto të fundit janë rikthyer.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, kjo javë do të ndikohet kryesisht nga masa ajrore të paqëndrueshme dhe të ftohta të cilat do të sjellin ulje të temperaturave, si dhe reshje shiu e bore.
Dita e hënë parashikohet të ketë mot kryesisht të vranët dhe reshje shiu që në orët e para të 24-oreshit, me intensitet deri mesatar. Në Verilindje dhe Lindje në lartësitë mbi 500-600 metra, si dhe në Jug-Juglindje në lartësitë mbi 700-800 metra, do të ketë reshje bore me intensitet deri mesatar.
Dita e martë parashikohet të ketë mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira, të cilat në orët e mesditës përgjatë relieveve malore, do të pasohen nga reshje të izoluara shiu dhe bore.
Dita e mërkurë dhe e enjte parashikohet të ketë mot me vranësira dhe intervale kthjellimesh. Reshje shiu me intensitet të ulët, si dhe në lartësinë mbi 300-400 në pjesën më të madhe të vendit, reshjet e shiut do të konvertohen në reshje bore me intensitet të ulët.
Dita e premte parashikohet të ketë mot me kthjellime dhe vranësira më të përqendruara në veri dhe përgjatë relieveve malore. Në veri reshje shiu e bore të izoluara.
Era parashikohet të jetë kryesisht nga kuadrati i Veriut me shpejtësi mesatare 1-8m/sek, e cila përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore hera-herës fiton shpejtësi deri në 20m/sek kryesisht ditën e hënë. Ditën e premte era kthen nga kuadrati i jugut me shpejtësi deri në 15m/sek.
/Priza.al/