Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, përdori deputetët demokratë të dhënë “hua” tek aleatët për të plotësuar dje kuorumin e Grupit Parlamentar, në mënyrë që të merrej vendimi për t’u përfshirë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë.
Në shtator të vitit të kaluar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i regjistruar në Kuvend përbëhej nga 44 deputetë. Por ky numër u ul pas 8 janarit, kur pas protestës para selisë blu, u përjashtuan 4 deputetë nga grupi i PD-së, duke shkuar në 40 numri i deputetëve.
Ndërkohë, për të marrë pjesë në procese parlamentare, ligjvënësit demokratë duhet të vendosin me shumicë vote. Për të marrë mbështetjen e deputetëve të djathtë për të marrë pjesë në zgjedhjen e Presidentit, Alibeaj thirri dje grupin parlamentar. Në mbledhjen e djeshme morën pjesë vetëm 21 ligjvënës. Me këtë numër konsiderohet i plotësuar kuorumi për vendimmarrje në grup. Por ajo që ngre diskutimet është qëndrimi i vetë Alibeajt.
Kur i referohet numrit të përbërjes së Grupit Parlamentar, Alibeaj thotë se ai përbëhet nga 40 deputetë, duke mos përfshirë Sali Berishën dhe 4 deputetët e tjerë që u përjashtuan pas 8 janarit. Po ashtu, në këtë numër nuk përfshihen as deputetët demokratë të cilët janë dhënë “hua” tek aleatët për të krijuar edhe dy grupe të tjera parlamentare opozitare.
Deputetët demokratë që janë dhënë hua te dy grupet e tjera parlamentare janë Ilda Dhori, Andia Ulliri, Seladin Jakupllari, Merita Bakiu dhe Emilja Koliqi. Të 5 ligjvënësit e mësipërm ishin në mbledhjen e thirrur nga ALibeaj. Pikërisht këtu qëndron edhe debati për kuorumin e mbledhjes së djeshme, pasi gjithsej ishin 21 deputetë të pranishëm dhe nëse zbriten 5 deputetët të cilët janë anëtarë të një tjetër grupi parlamentar, atëherë pamundësohet vendimmarrja.
PJESËMARRJA NË PROCES
Megjithatë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, do të ulet sot në kuvend në Konferencën e Kryetarëve, për të nisur raundin e parë të procedurës për zgjedhjen e kreut të shtetit. Sa i përket draftit me kriteret për Presidentin e ri, ai u shpreh se do të marrë edhe mendimet e deputetëve dhe dy grupeve të tjera parlamentare të opozitës.
“Opozita ka legjitimitetin e saj për të marrë pjesë në proces për të propozuar një figurë që të mos ketë lidhje me sistemin e diktaturës, madje të ketë treguar që ka ditur t’i qëndrojë fort. Kriteret e tjera janë dekriminalizimi, integriteti, të qenët i pakorruptueshëm dhe të mos joshet nga pushteti. Për këto kritere flasim ne. Grupi, deputetët, menduan dhe unë jam bashkë me ta, që duke më atribuuar të drejtën për ta çuar para këtë proces, duke mos e konsideruar final këtë draft, ai mund të pasurohet duke u ofruar kolegëve të tjerë që nuk e patën mundësinë të vinin dhe me aleatët që do të thotë një proces konsultimi sa më i gjerë që do të finalizojë qëndrimin final tonin”, tha Alibeaj.
PRESIDENT ANTIKOMUNIST
Ndonëse do ta pasurojë edhe më tepër draftin për kriteret, Alibeaj konfirmoi se kishin gjetur dakordësinë që Presidenti i ri të jetë antikomunist. Ai ka deklaruar se maxhoranca nuk ka legjitimitetin për të zgjedhur kreun e shtetit, pasi ka tre deputetë “non grata” dhe dy të tjerë pas hekurave.
“Lidhur me draftin, do të bëj disa sqarime. Ai është një draft që ka sintetizuar sugjerimet e secilit deputet. Është e udhës për këdo që të ketë mundësinë, kohën për të studiuar çështjen dhe për të dhënë sugjerimet. Ajo që unë e kam thënë në titull personal dhe deputetët e thanë fort. Kjo maxhorancë nuk ka legjitimitetin për të vendosur për Presidentin e Republikës. Ka tre deputetë “non grata”, ka dy deputetë pas hekurave. Ka raportin e DASH. Duhet pjesëmarrje substanciale e opozitës në tri raundet e para. Së treti, ajo që është më e rëndësishme, këtu ndjej edhe një kënaqësi personale. Ata që ishin aty, kanë një kusht të panegociueshëm. Presidenti i Republikës së Shqipërisë duhet të zgjidhet, qëndron në faktin që duhet të jetë një antikomunist. Ky vend pas 30 vitesh nëpërkëmbje, duhet së pari të japë një shenjë të fortë energjike që Presidentin ta ketë antikomunist. Kjo është çështja që ka turbulluar shumë mendje”, tha ai./gazeta panorama