Familjarët e 46 vjeçarit Fatmir Sulovari, i cili prej 17 ditësh është zhdukur së bashku me Leonard Thodhorin, kanë protestuar ditën e sotme para komisariatit të policisë në Sarandë.
Familjarët kërkojnë që policia të veprojë për zbardhjen e ngjarjes. Njëri prej personave të pranishëm në komisariat, i bindur se të zhdukurve mund t’u ketë ndodhur diçka kanë kërkuar vetëm që t’ui jepen trupat për t’i varrosur duke thënë se nuk duan t’ja dinë kush kanë qenë autorët e ngjarjes dhe se do t’i lënë hetimet në dorë të shtetit.
“Nëse të marr unë peng, të fus në makinë, a do vijë shteti? Pse nuk vjen për djalin tonë? Nuk duam ta dimë kush e ka vrarë, ai që e ka vrarë të dalë para drejtësisë të marrë dënimin që meriton. Kaq duam ne”- shprehet njëri prej të pranishmëve.
Punonjësi i komisariatit të policisë, u ka kërkuar të pranishmëve që të mos bëjnë presione dhe nuk u ka dhënë shpjegime duke u thënë se duhej të flisnin me eprorin e tij.
Ditë më parë, motra dhe nëna e Leonard Thodhorit kanë kërkuar që shteti të marrë masa për gjetjen e tij duke aluduar se zhdukja e tij lidhet edhe me shitjen e disa prej tokave që i kishte në pronësi./ReportTv