Prej 5 ditësh nën tokë, ende asnjë shenjë nga minatori në Bulqizë! Regjistrohen të tjera shembje në galeri

Minatori Muharrem Plaku është i bllokuar në një nga galeritë e Bulqizës, që prej mëngjesit të së mërkurës 15 shtator, kur u shemb një sasi e madhe mineralesh. Grupi i Avari Shpëtimit si dhe minatorë të firmave të tjera po punojnë pa ndërprerje për zhbllokimin e galerisë, por operacioni është i vështirë, ndërkohë që po përdoren mjete të thjeshta.

Puna për gjetjen e minatorit Muharrem Plaku është vështirësuar pasi raportohet se në galerinë ku ai është bllokuar, janë regjistruar të tjera shembje. Mësohet se gjatë natës së kaluar, për shkak të shirave të dendur, ka pasur një tjetër shembje masive 450 metra thellësi në minierën ku dyshohet se është bllokuar 60-vjeçari.

Ditët po kalojnë, ndërkohë që shpresat për të gjetur shëndoshë e mirë minatorin, i cili punonte prej 8 vitesh në minierë, pakësohen. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur punën prej ditësh, por publikisht kanë deklaruar se terreni është mjaft i vështirë dhe se vijojnë të bien minerale.

Ata kanë shtuar se po vijojnë të punojnë me ritme të ngadalta në mënyrë që të mos rrezikojnë shembje të tjera më të mëdha që do të shuanin shpresat për nxjerrjen gjallë të minatorit. Familja e Plakut pret në ankth prej ditësh dhe pse gjasat që të takohen me 60-vjeçarin janë të pakta.

Masivi i kromit, që dyshohet se ka nisur të shkëputet nga tavani i minierës, bllokoi Plakun brenda, e ndërsa janë larguar dhjetëra tonë minerale, ende nuk ka asnjë shenjë nga tekniku.

Një ditë më parë, zëvendës ministri i infrastrukturës dhe Energjitikës, Ilir Bejtja deklaroi se është ngritur një grup hetimor për të verifikuar shkaqet e ngjarjes, ndërsa kanë krijuar dyshimet e para se si ka ndodhur aksidenti.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *