Prej ditësh ishulli i Sazanit i rrezikuar nga vatrat e zjarrit, avioni grek shuan flakët për 8 orë

Prej ditësh Sazani vijonte të digjej,  rreth tetë orë kanë mjaftuar gjatë ditës së sotme që të shuhen flakët nga ajri. Dhe kanë qenë pikërisht avionët grekë të cilët kanë ardhur për ndihmë duke bërë të mundur shuarjen.

Në një kohë kur Shqipëria nuk ka mjaftueshëm mjete ajrore si helikopterët për të shuar zjarrin, edhe këtë herë na erdhën në ndihmë komshijtë tanë. Në mbrëmjen e datës 5 qershor në kulmin e debateve për këtë çështje, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë një status në rrjetet sociale se kishte vendosur që të dëgjonte zërin e ekspertëve.

“I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës. Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët”, shkruante Peleshi.

Fillimisht Peleshi nuk pranoi këtë fakt te denoncuar publikisht nga mediat dhe një pjesë e opozitës, por me pas qeveria u detyrua që ta pranonte këtë realitet dhe kërkoi ndihmë. Mbrëmjen e djeshme, ministria e Mbrojtjes njoftoi se Greqia kishte sjellë si mbështetje avionin Canadair CL 415. Operacioni për shuarjen e flakëve nga ajri nisi sot në orët e para të mëngjesit, për të përfunduar pasdite. Lajmi për shuarjen e zjarrit u bë i ditur nga vetë ministri Peleshi.

Ky i fundit njoftoi se flakët më në fund u shuan. “Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara dhe u bën thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident”, shkruante ministri sot. Le te shpresojmë që bashkë me këtë sezon turistik, të mos ketë zjarre, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *