Tashmë ligat kryesore në botë janë ndërprerë, për t’ia lënë vendin Botërorit, që nis të dielën. Bayern Munchen është klubi qe dërgon më shumë lojtarë në Katar, por një tjetër statistikë interesante ka të bëjë me atë se cilat liga kombëtare kanë më shumë përfaqësues të thirrur në secilat kombëtare.
Premier League bën ligjin: 124 lojtarë të thirrur që luajnë në elitën e kampionatit anglez dhe mban vendin e parë, shkëputur nga ligat e tjera. Vetëm dy ekipet e Manchesterit kanë 29 futbollistë, pa llogaritur skuadrat londineze, Liverpool e kështu me radhë.
Ndjek La Liga me një numër prej 80 futbollistësh dhe më pas Bundesliga me 75 lojtarë. Më larg duket Serie A me 67 lojtarë, ku sigurisht boshti përbëhet nga Juventus-Milan-Inter-Napoli, pasi Atalanta ka 4, ndërsa Lazio vetëm dy!
Ligue 1 franceze përfaqësohet me 54 lojtarë dhe për habinë e të gjithëve më pas vjen kampionati amerikan i futbollit MLS me 35 lojtarë. Por, Anglia nuk mburret vetëm me Premier League, por edhe me Championship, ku janë 33 lojtarë që do të jenë na Katar.