Premtoi caktim tavani për interesat e mikrokredive/ BSH-së nuk i interesojnë konsumatorët shqiptarë, pranon sugjerimet e IFJB-ve  

Banka e Shqipërisë është një institucion shtetëror i cili mbahet në këmbë nga taksapaguesit shqiptarë, por interesat e këtyre të fundit shumë pak duket se i interesojnë institucionit qendror financiar të vendit.

Duket sikur Banka e Shqipërisë është krijuar për të mbrojtur interesat e bankave dhe institucioneve financiare private, të cilat duhet thënë se kanë organizmat e tyre rregulluese dhe mbrojtëse, në një kohë që qëllimi i BSH-së duhet të jetë ekonomia dhe stabiliteti i saj në vend.

Megjithatë edhe kur është fjala për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë, BSH-ja duket se ka zgjedhur kahun tjetër.

Kohët e fundit tregu i mikrofinancave ka pasur probleme serioze, por rroli dhe ndikimi i BSH-së si organ mbikëqyrës nuk është ndjerë thuajse fare.

Konkretisht, BSH-ja premtoi në fillim të marsit të këtij viti, aplikimin e disa rregullave të reja mbi bazën e një rregulloreje që do të vendoste një normë efektive maksimale të interesit të mikro-kredive.

Ky premtim i BSH-së, do të ishte një ndër hapat e parë që do të rregullonte tregun kaotik të mikrofinancave në vend dhe institucioneve IFJB.

Por tani pas disa muajsh, BSH-ja jo vetëm që nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë, por e ka planifikuar zbatimin e kësaj rregulloreje vetëm pas vitit 2022. Por edhe këtu BSH-ja ka lanë hapësira për përfitimin e IFJB-ve dhe jo të konsumatorëve.

BSH e kapur nga IFJB-të?  

Prej rreth një viti “tenxherja me presion” e IFJB-ve me probleme, mikrokredive të rreme, apo e mashtrimit të mijëra klientëve shqiptarë të cilëve u janë vjedhur të dhënat personale dhe janë bartur me kredi, është në pikën kritike të vlimit. Por BSH-ja dhe disa institucionet të tjera shtetërore, jo vetëm që nuk kanë denjuar që të ngrenë as “valvulën e presionit” për ta shkarkuar, duke bërë sikur marrin masa, por haptazi kanë dalë në krah të institucioneve private me aktivitet të dyshimtë dhe me sfond piramidal.

“Priza.al” tashmë prej muajsh ka nisur denoncimin e këtyre skemave dhe institucioneve, me emra, fakte dhe dëshmitarë, madje në shumë kallëzime dhe padi, tashmë ka nisur të jetë edhe emri i BSH-së, por kjo e fundit duket se ka vendosur të heshtë përballë këtij fakti, me shpresën se “në Shqipëri çdo gjë e ka një çmim”.

Kjo gjë duket qartë edhe në hartimin e projekt-ndryshimeve të rregullores, ku BSH-ja ka lejuar të reflektohen kryesisht komentet dhe vërejtjet e paraqitura nga bankat dhe institucionet e tjera financiare jo banka, të cilat duket qartë se e kanë “kapur” Bankën Qendrore.

Në thelb, koncepti i Normës Maksimale Efektive të Interesit (NEI maksimal) nuk ndryshon as në variantin e ri. Ky tregues ishte parashikuar të llogaritej me mesataren e normës efektive të interesit, të aplikuar nga subjektet sipas llojit të kredisë konsumatore, në lekë, duke shtuar edhe një të tretën e saj.

Por, në variantin e rishikuar, BSH-ja propozon që ky tregues të llogaritet me frekuencë 6-mujore dhe jo më 3-mujore, siç parashikohej në variantin e mëparshëm.

Treguesi i llogaritur dhe i publikuar në fund të çdo 6-mujori do të jetë i vlefshëm për të gjitha kontratat e kredisë konsumatorë, që do të nënshkruhen në 6-mujorin në vijim.

Hileja e rregullores që u jep hapësirë IFJB-ve të “luajnë” me valutat

Duket qartë se asgjë nuk bëhet në të mirë të konsumatorit edhe kur rrisku është tepër i lartë për ekonominë.

Kjo po ndodh edhe me projekt-rregulloren që BSH-ja po harton, sa për të “larë gojën” në lidhje me normat e interesave të mikrokredive, që kur të shpërthejë “stuhia”, letrat të paktën të jenë të kopsitura.

“Priza.al” ka mësuar sot se në projekt-rregulloren që BSH ka propozuar dhe tashmë është në fazën e konsultimeve me “grupet e interesit”, duket se përparësi i është dhënë vetëm “interesit”.

Nga sa mësohet nga BSH, në rregulloren që po hartohet, NEI maksimal do të llogaritet vetëm për kreditë konsumatore në monedhën kombëtare pra Lekë, ndërsa kreditë në euro nuk do të jenë objekt i vendosjes së normës tavan, llogaritjes apo publikimit të këtij treguesi. Pra, IFJB-të janë të lira të bëjnë si të duan me interesat e kredive në euro dhe dollarë, apo edhe të orientojnë klientët ku të duan, sipas politikave të tyre.

Burimet i kanë thënë “Priza.al” se BSH-ja, është munduar që ta mbulojë këtë gjë me justifikimin se në praktikë, kreditë konsumatore jepen në masën dërrmuese në monedhën vendase, dhe se “Banka Qendrore nuk e ka parë të arsyeshme të përfshijë edhe kreditë e dhëna në valuta të tjera”.

Një tjetër lehtësi për IFJB-të, me kërkesë të këtyre të fundit drejtuar grupit të punës në BSH, është edhe rishikimi dhe ndryshimi i datës së hyrjes së kësaj rregulloreje në fuqi.

Në variantin fillestar, Banka e Shqipërisë parashikonte që dispozitat e reja të hynin në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, por në variantin e ri, nga IFJB-të propozohet që ndryshimet të hyjnë në fuqi duke filluar nga viti i ardhshëm, më saktë nga fundi i vitit 2022, për t’iu dhënë institucioneve financiare kohë të mjaftueshme “për t’u përshtatur me konceptet e reja të parashikuara në rregullore”.

IFJB-të i “korrigjojnë” BSH-së edhe pjesën e penaliteteve

Bosët e institucioneve të mikrofinancave nuk kanë pranuar nga BSH-ja as vendosjen e penaliteteve kur konstatohen abuzime apo shkelje, duke i kërkuar me insistim Guvernatorit Sejko ta fshijë këtë pjesë nga projekt-rregullorja.

“Priza.al” ka mësuar se, me insistim ata kanë dërguar propozimet e tyre në adresë të BSH-së, duke diktuar edhe në ndryshimet e tjera nga varianti i parë i projektit, sidomos në dispozitat që lidhen me vendosjen e një niveli tavan për penalitetet mbi konsumatorët.

Burimet i thanë “Priza.al” se, një nga çështjet që kishte tërhequr më shumë komente, si nga bankat tregtare, ashtu edhe nga institucionet financiare jo banka, ishte pikërisht vendosja e tavanit edhe për penalitetet ndaj klientëve.

Te këto të fundit, deri tani IFJB-të kanë pasur dorë të lirë dhe aty kanë lindur edhe konfliktet më të mëdha mes institucioneve të mikrokredive dhe klientëve, që detyrohen të paguajnë disa fish ose disa herë kredinë që kanë marrë.

BSH-ja i qëndron propozimit për vendosjen e një kufiri maksimal për penalitetet ndaj klientëve për kamatëvonesat, në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa).

Por duket se edhe kjo pikë në projekt-rregullore do të bjerë si shumë të tjera në kurriz të konsumatorit dhe klientëve të IFJB-ve.

BSH-ja do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare. Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit, BSH-ja do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë 6-mujorit të mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *