Pesë kamionë që transportonin 40 metër kub lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme janë bllokuar nga policia.
Gjithashtu janë vënë nën hetim 8 persona për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar pa licencë“.
Gjithashtu u vu nën hetim edhe 1 teknik pyjesh në bashkinë Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet policore të Komisariateve të Policisë Shkodër dhe Malësi e Madhe, kanë bërë të mundur bllokimin e 5 kamionëve që transportonin pa dokumentacionin përkatës, 40 metër kub lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht:
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe janë proceduar penalisht shtetasit E. N. dhe Q. M., pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, duke transportuar me kamionët e tyre lëndë drusore, pa dokumentacionin përkatës;
Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, janë proceduar penalisht shtetasit N. Z., R. K., A. C., M. B., A. L. dhe A. S., pasi janë kapur duke transportuar me tre kamionë, lëndë drusore, pa dokumentacion përkatës.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi D. P., teknik pyjesh në bashkinë Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi si përgjegjës i zonës ku është konstatuar prerja dhe grumbullimi i lëndëve drusore, nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e kësaj veprimtarie”, sipas policisë.
Kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër vijojnë për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë.
/Priza.al/