Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka deklaruar nga Fieri se PS do të shkojë nesër me një emër te depozituar bashkë me firmat mbështetëse për presidentin e ri.
Balla tha se PS ka një listë të shkurtër përfundimtare e cila do të shqyrohet nga kryesia, dhe se askush nuk ka të drejtën të kalojë mbi kompetencën e kryesisë e të grupit parlamentar.
“Mos hyni për diskutimin e emrave edhe për pak orë. PS do të mbledh kryesinë në orën 17 dhe do të zhvillohen disa diskutime që i kemi zhvilluar në disa mbledhje të njëpasnjëshme dhe në fund të këtij procesi do të shkojmë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS prej ku buron edhe mbështetja që përcakton kushtetuta.
Duhen 20 firma deputetësh që të hysh në garë. Ne kemi një short list përfundimtare e cila do të marrë edhe shqyrtimin nga kryesia dhe vendimin përfundimtar të grupit parlamentar. Mua nuk më lejohet të hyj në asnjë diskutim emrash në këto momente sepse askush prej nesh nuk ka të drejtën të kalojë mbi kompetencën e kryesisë e të grupit parlamentar”, tha Taulant Balla.