Presidenti i vendit Bajram Begaj do të zhvillojë ditën e sotme një takim me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg. Ata do të diskutojnë lidhur me zhvillimet strategjike dhe të sigurisë në krahun lindor të NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu temë e diskutimeve do të jetë vijimi i mbështetjes për Ukrainën; angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, si edhe pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Lituani, në korrik të këtij viti.
Në këtë vizitë zyrtare, presidenti Begaj do të shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij. Kjo është vizita e parë zyrtare në NATO e Begajt në cilësinë e Presidentit të Republikës.
Në përfundim të takimit, në orën 13:00, presidenti Begaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.