Presidenti Biden viziton kufirin me Meksikën për herë të parë gjatë mandatit

Presidenti Joe Biden vizitoi kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, e para vizitë, që nga marrja e detyrës në Shtëpinë e Bardhë, rreth dy vjet më parë. Vizita në El Paso të Teksasit vjen ndërsa Presidenti Biden njoftoi një plan të ri që ka si objektiv krizën e migrantëve në kufirin amerikan.

“E di që është një çështje e ndërlikuar dhe nuk dua të pretendoj se kjo është një gjë e lehtë për t’u trajtuar”, u shpreh Biden lidhur me ata që përpiqen të kalojnë ilegalisht kufirin dhe të kërkojnë azil nga Kuba, Nikaragua, Haiti dhe Venezuela. “Mos hajdeni në kufi. Qëndroni atje ku jeni dhe aplikoni ligjërisht prej andej”, ishte thirrja e tij drejtuar migrantëve.

Biden njoftoi të enjten se deri në 30 mijë persona në muaj, nga këto vende, do të lejohen të aplikojnë për azil. Ata duhet të përmbushin kritere të rrepta si dhe të kenë një person, që do t’i ndihmojë për t’u bërë banorë të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

Të hënën Presidenti Biden do të vizitojë Meksikën dhe të martën do të mbajë një takim të nivelit të lartë me homologun meksikan Andres Manuel Lopez Obrador dhe kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *