Presidenti/ Grupi i Alibeajt: Begaj nuk kundërshtohet si ushtarak, por si zgjedhje personale Ramës, në bashkëpunim me mafian

Zëdhënësja e grupit të Alibeajt, Orjola Pampuri ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Pampuri shkruan se demokratët janë përpjekur të jenë pjesë e procesit, por se kryeministri nuk dëshironte një proces gjithëpërfshirës dhe se deklaratat e tij për një president konsensual ishin një mashtrim publik.

“Legjitimimi i këtij procesi të njëanshëm dhe fshehja pas artificave procedurale, gjoja me votë kundër sepse është ushtarak, është shërbimi më i mirë për ti dhënë tiparet e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës. Bajram Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por se është zgjedhje personale e Edi Ramës, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore”, shkruan ndër të tjera ajo.

Postimi i Plotë:

Edi Rama do zyrtarizojë sot në mënyrë të njëanshme emërimin e Presidentit të Republikës, që nxori dje nga xhepi, pa asnjë proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Propozimi i kandidatit për President nga nongratat e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të damkosur nga SHBA se kanë vjedhur vota në bashkëpunim me krimin e organizuar, është prova e qartë e mungesës së legjitimitetit të PS për të zgjedhur njëanshmërisht Presidentin e Republikës.

Partia Demokratike bëri gjithçka dhe u përfshi në proces, në respekt të qytetareve dhe përgjegjësive të veta kushtetuese. Ne nuk bojkotuam, nuk u fshehëm, nuk bëmë retorikë politike. Tentuam të ndërtonim një proces që i jepte Shqipërisë një President që përfaqëson unitetin e popullit. Edi Rama nuk donte një proces gjithëpërfshirës, u tërhoq nga marrëveshja me opozitën dhe provoi para shqiptarëve që përbetimi se ishte i gatshëm për President konsensual ishte një mashtrim publik.

Legjitimimi i këtij procesi të njëanshëm dhe fshehja pas artificave procedurale, gjoja me votë kundër sepse është ushtarak, është shërbimi më i mirë për ti dhënë tiparet e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës. Bajram Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por se është zgjedhje personale e Edi Ramës, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore. Çdo cicërimë e ndryshme është thjeshtë fasadë për të fshehur legjitimimin e kapjes së një tjetër institucioni të pavarur nga Edi Rama, pikërisht nga të njëjtët individë që deri dje akuzonin duke shpifur kolegët e tyre se po bëheshin pjesë e “farsës””, ka shkruar ajo.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *